Institucioni

Institucioni > Lajme >

DPT vijon kunsultimet me grupet e interesit mbi shkëmbimin e informacionit të llogarive financiare

Në vazhdën e takimeve të organizuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u mbajt  takimi konsultues i radhës me përfaqësues të bankave, shoqërive të sigurimit, shoqëri kursim krediti, fonde investimesh dhe grupe të tjera interesi që do të angazhohen në mbledhjen e informacionit të llogarive financiare, të cilat do të raportohet pranë Administratës Tatimore, në zbatim të Standardit të Raportimit të Përbashkët (CRS) dhe Ligjit “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare”.
Diskutimet u fokusuan në legjislacionin dytësor që do të dalë në zbatim të këtij ligji, detyrimet kryesore të institucioneve financiare raportuese, llogaritë e raportueshme dhe jo- të raportueshme e të tjera parashikime që janë ende në fazën e konsultimit publik.

Ligji parashikon që Institucionet Financiare (IF) vetëm për shkëmbimin e parë të informacionit do të raportojnë brenda Korrikut 2020, për llogaritë paraekzistuese deri më 01.01.2019 dhe ato të reja të hapura nga 01.01.2019 deri më 31.12.2019. Raportimet nga IF-të për vitet në vijim do të kryhen brenda muajit Maj.
Informacioni për t’u shkëmbyer përfshin balancat e llogarive financiare në fund të vitit që raportohet, fitimet kapitale (përfshirë interesat, dividendët, të drejtat dhe të ardhurat nga shitja e aseteve financiare), të raportuara te qeveritë nga institucionet financiare, duke mbuluar llogaritë e mbajtura nga individët dhe entitetet përfshirë trustet dhe fondacionet.