Institucioni

Institucioni > Lajme >

Deklaratë për mediat: Prioritetet e Administratës Tatimore për vitin 2020

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Znj.Delina Ibrahimaj, bëri me dije sot në një takim me përfaqësues të medias, prioritetet e Administratës Tatimore për vitin 2020, të cilat janë rritja e efiçensës dhe përmbushja e detyrave funksionale, përmes standartizmit të një analize inteligjente në qasjen ndaj tatimpaguesve.

Znj.Ibrahimaj the se “Zbatimi i Planit Operacional 2020 ka qëllim reduktimin e informalitetit dhe rritjen e nivelit të përmbushjes vullnetare tatimore.”

Prioritet e Administratës Tatimore do të jenë ndjekja përgjatë të gjithë vitit 2020 e planeve sektoriale të orientuar nga analiza e riskut, në sektorin e ndërtimit, hidrokarbureve, sektori i bar-restoranteve e turizmit dhe nëndeklarimi i pagave; ndjekja e dy Reformave madhore, siç janë ajo e Fiskalizimit dhe Shkëmbimi Automatik i Informacionit; Ristrukturimi organizativ i Administratës Tatimore dhe përditësimi i Rregulloreve e Manualeve të Punës, si edhe monitorim më i mirë i deklarimeve tatimore, përmes disa ndryshimeve që do të bëhen në sistem dhe ndërtimit të një platforme të gjerë të dhënash, në bashkëpunim me institucione të tjera.

Në ndjekje të këtij Plani Operacional,  DPT do të ruajë një komunikim të rregullt periodik, për të garantuar një qasje transperente dhe llogaridhënëse me publikun e gjerë dhe tatimpaguesit në veçanti.

 

Deklarata e plotë e Znj.Ibrahimaj

Përshëndetje,  

Administrata Tatimore do të ketë në fokus të punës së saj për vitin 2020 rritjen e efiçensës dhe përmbushjen e detyrave funksionale, përmes standartizmit të një analize inteligjente në qasjen ndaj tatimpaguesve.

Do të ndjekim këto linja kryesore në Planin Operacional të këtij viti, me qëllim reduktimin e informalitetit dhe rritjen e nivelit të përmbushjes vullnetare tatimore:

  1. Planet sektoriale të orientuar nga analiza e riskut në sektorin e ndërtimit, hidrokarbureve, sektori i bar-restoranteve e turizmit dhe nëndeklarimi i pagave, ku në bazë të analizës së sjelljes jopërmbushëse, bëhet edhe ndjekja e tatimpaguesve drejt vetërregullimit përmes komunikimit, intervistave të thelluara, kontrolleve, apo hetimit tatimor. Këto plane sektoriale do të vijojnë përgjatë të gjithë vitit, mbështetur në elementët e modulit të riskut, të cilët janë në proces të vazhdueshëm përditësimi dhe automatizimi.
  2. Ndjekja e dy Reformave madhore që janë Fiskalizimi dhe Shkëmbimi Automatik i Informacionit si edhe lehtësimi i praktikave për tatimpaguesit përmes ofrimit të Shërbimeve tona online, nëpërmjet platformës e-albania. Në qershor 2020 do të shtojmë tre shërbime të reja online – Rivendosje fjalëkalimi; njoftimi i ndryshimeve në regjsitrim dhe njoftim i të dhënave të regjistrimit. Deri në fund të vitit paketa e shërbimeve online do të plotësohet edhe me një sërë shërbimesh të tjera drejt automatizimit të plotë të ofrimit të tyre.
  3. Ristrukturimi i Administratës Tatimore me qëllim rritjen e efiçencës së stafit; përditësimi i Rregulloreve e Manualeve të punës për Drejtoritë kryesore në DPT, në funksion të ndryshimeve ligjore dhe të fiskalizimit. Brenda vitit 2020 do të përfundohet për herë të parë një Strategji e mirëfilltë për Shërbimin e Tatimpaguesve dhe një Strategji Komunikimi, në frymën e qasjes së re ndërvepruese të AT me tatimpaguesit dhe në përmbushje të rekomandimeve të FMN-së.  Prej muajit Shkurt do të realizojmë në shkallë vendi Pyetësorin e Kënaqësisë së Tatimpaguesve, për të matur nivelin e kënaqësisë së tyre ndaj AT dhe për të orientuar përmirësimin e punës sonë sipas problematikave që do të evidentohen.   Do të strukturojmë Partneritetin me Universitetet, ku brenda muajit prill do të kemi të përcaktuara linjat e bashkëpunimit për kualifikimin e duhur të profesionistëve të rinj, që do t’i bashkohen Administratës Tatimore.
  4. Monitorim më i mirë i deklarimeve tatimore, duke ndërthurur dhe kryqëzuar informacion mes strukturave të ndryshme të DPT dhe institucioneve të tjera, çka do të përmirësojë leximin e treguesve dhe parandalimin e fenomeneve të mospërmbushjes. Ka nisur puna për realizimin e protokollove të bashkëpunimit  me institucione si DPSHTRR, ASHK, Dogana, RBS,  OSHEE, Banka, etj, që do të na  mundësojë akses dhe ndërveprim në kohë të shpejtë, kryesisht në punën e strukturave të riskut,  kontrollit, hetimit tatimor, borxhit, etj. Krahas ndërtimit të kësaj platforme të gjerë të shkëmbimit të informacionit, po punojmë për disa ndryshime në sistemin tonë të deklarimit elektronik.

Aktiviteti i këtyre drejtorive për vitin 2020 vazhdon të jenë në përmbushje të objektivave strategjike të DPT, si edhe të rekomandimeve të FMN-së dhe TADAT.

Risitë në punën e tyre do të jenë:

  • Përmirësimi i cilësisë së kontrolleve tatimore nëpërmjet Standartizimit të procedurave të kontrollit si dhe automatizimit të raport kontrollit në sitemin C@TS.
  • Përdorimi i metodave indirekte si një risi e procedurave gjatë kontrollit tatimor, mbi bazën e skenarëve të ndryshëm sipas industive, më mbështetje dhe asistencë të FMN;
  • Lehtësimi i procedurave për plotësimin e  deklaratës së të ardhurave individuale për individët  me burim të ardhurash nga paga dhe ata të dypunësuar (DIVA);
  • Integrimi i kontrolleve tatimore me planet sektoriale mbi bazën e analizës së riskut si dhe përzgjedhja për kontrolle në vend, vizita fiskale dhe kontrolle nga zyra, me analizë risku dhe mënyrën e kontrollit tatimor të mirëpërcaktuar;
  • Përdorimi i sitemit GPS me qëllim monitorim të plotë të verifikimeve në terren nga inspektorët tatimorë;
  • Administrimi i centralizuar i borxhit duke e përqëndruar mbledhjen e detyrimeve të prapambetura në tre rajone dhe lehtësuar procedurat;
  • Implementimi i sistemit Track &Trace në sektorë të vecantë të industrisë - Hidrokarbureve, alkolit-, e cila do të zgjerohet edhe në industri të tjera.
  • Do të vijojmë me propozime për ndryshime ligjore për të rritur gjurmueshmërinë e evazionit fiskal;

Në ndjekje të këtij Plani Operacional, do të ruajmë një komunikim të rregullt periodik, për të patur një qasje transperente dhe llogaridhënëse me publikun e gjerë dhe tatimpaguesit në veçanti.

Ju faleminderit!