Administratat Tatimore të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë nisur shkëmbimin e përvojave në kuadër të reduktimit të informalitetit përmes incentivave që nxisin dhe mbështesin qytetarët dhe tatimpaguesit e rregullt.
Delina Ibrahimaj, Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve dhe homologia Sanja Lukarevska, prezantuan në një takim të përbashkët në Shkup, qasjet e secilës administratë në politikat fiskale, të cilat synojnë formalizimin e ekonomisë dhe ndërgjegjësimin e publikut për përfitimet që sjell formalizimi, në zhvillimin e një vendi.
Maqedonia e Veriut ka nisur praktikën - TVSH- ja Ime, - një incentivë për rimbursimin e një pjese të tatimit mbi vlerën e shtuar për personat fizikë. Kjo praktikë e automatizuar, synon forcimin e disiplinës fiskale dhe rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për tërheqjen e kuponit tatimor, duke e lidhur këtë më një përfitim të drejtëpërdrejtë monetar për konsumatorin fundor.
Shqipëria, e cila është në prag të zbatimit të Fiskalizimit, po përgatitet për të vendosur këtë skemë, e cila nxit lëshimin e kuponit tatimor nga ana e ofruesve të mallrave dhe shërbimeve, falë kërkesës së qytetarëve të interesuar për ta tërhequr atë.
Pas këtij takimi të parë do të nënshkruhet në Tiranë një Memorandum Bashkëpunimi mes dy Administratave Tatimore.