Në përgjigje të interesit të shtetasve shqiptarë me banim jashtë vendit, mbi shërbimet që mund të marrin online nga Administrata Tatimore, sqarojmë se të gjitha shërbimet që ofrohen nga portali e-Albania, janë të aksesueshme edhe për këta shtetas.
Nëse ju kërkohet dëshmi se nuk zhvilloni aktivitet privat në Shqipëri, ju mund të aplikoni në portalin e-Albania, për të marrë "Vërtetimin për Individë të Paregjistruar".
Pasi të identifikoheni në portal me ID tuaj, ju mund të aplikoni për këtë vërtetim dhe brenda një dite pune, do ta gjeni të depozituar tek "dokumentat e mia".
Nëse keni qenë të punësuar në Shqipëri mund të merrni vërtetim për kontributet për individë nga viti 2018 e në vijim. Në vitin 2020 do pajiseni me të dhëna nga janar 2019 e në vijim.
Nëse keni patur apo keni aktualisht aktivitet privat, mund të merrni vërtetime për statusin e subjektit, për qarkullimin e 3 viteve të fundit, pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, vërtetim për regjistrim investitori, certifikatë rezidence tatimore të subjektit që ushtron aktivitet në Shqipëri, etj.
Shtetasit shqiptare që jetojnë jashtë vendit, nëse janë tatimpagues, mund të kryejnë deklarimet, apo edhe deklarimin e të ardhurave personale (DIVA), nëpërmjet e-filing në www.tatime.gov.al / e-Shërbime.
Për informacion të përditësuar mbi legjislacionin tatimor, ndryshimet ligjore dhe mbi të gjitha risitë në praktikën e shërbimit të Administratës Tatimore, ju mund të ndiqni faqen zyrtare online të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.