Institucioni

Institucioni > Lajme >

Interpelancë me biznesin për Fiskalizimin - Synojmë uljen e informalitetit në ekonomi

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, së bashku me Ministrin e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi, Drejtoreshën e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj dhe Drejtoreshën e Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karçanaj, zhvilluan sot një interpelancë me përfaqësues të biznesit në sektorë të ndryshëm të ekonomisë lidhur me reformën e Fiskalizimit, e cila do të realizohet përmes projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”. Kjo interpelancë u mundësua përmes platformës së Bashkëqeverisjes “Shqipëriaqëduam.al”.

Projektligji është hedhur për konsultim publik që prej datës 31 korrik, proces që vijoi deri në mesin e muajit shtator me tryeza diskutimi me grupe të ndryshme interesi, ku janë dëgjuar dhe marë komentet e sugjerimet e tyre. Pothuajse të gjitha nenet e projektligjit janë prekur dhe 4 janë ndryshuar totalisht.

Gjatë kësaj interpelance, përfaqësuesit e biznesit janë informuar mbi objektivat dhe synimet e Fiskalizimit, si monitorimi në kohë reale i transaksioneve, administrim më të mirë të të ardhurave, reduktimin e informalitetit në ekonomi, përmirësim të klimës së biznesit, etj.

Ministrja Denaj tha se projektligji parashikon ngritjen e një sistemi të ri, i cili do të krijojë një mekanizëm të raportimit dhe të mbikqyrjes në kohë reale të informacionit të transmetuar nga pajisjet fiskale, si për transaksionet me para në dorë që prekin marrëdheniet biznes me klient, ashtu dhe për transaksionet “biznesi me biznes” dhe “biznes-qeveri”, duke mundësuar kështu një sistem elektronik të plotë fature.

Kjo do të sjellë një monitorim të plotë të qarkullimit, pasi në kohë reale do të jetë e evidentuar fatura e lëshuar, e raportuar në sistemin tatimor për detaje të produkteve, vlerat e tyre dhe modalitetin e pagesës. Drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve znj.Ibrahimaj iu përgjigj interesimit të të pranishmëve mbi detaje teknike të këtij procesi dhe mënyrën e komunikimit të tatimpaguesve me sistemin tatimor.

“Kjo do të ndihmonte ndjeshëm punën e nisur prej kohësh në kuadër edhe të luftës kundër informalitetit. Çdo përpjekje që ndihmon për një pasqyrim të saktë të realitetit në qarkullim fiskal do të ndihmonte edhe evidencën e risqeve dhe evidentimit në kohë të bizneseve me risk të lartë, duke siguruar fokus kontrolli sipas këtyre kritereve. Do të rriste transparencën dhe do sillte përmirësim të klimës së biznesit dhe një pritshmëri të rritjes së të ardhurave tatimore në nivelet reale të tyre, duke mos u minuar nga informaliteti në asnjë nivel”, u shpreh Ministrja.

Ministrja Denaj sqaroi se ndryshimi i teknologjisë është i domosdoshëm, për sa kohë pajisjet aktuale mbështeten në teknologjinë 2G/3G dhe po zëvendësohen në të gjithë Europën. Dixhitalizimi i ekonomisë, shtoi znj. Denaj, është një hap i nevojshëm dhe i ndodhur tashmë në shumë ekonomi të përparuara dhe ato në zhvillim.

“Përmes përmirësimeve në programin softuare të fiskalizimit zgjerohet mundësia për të shtuar digjitalizimin e proceseve në pikat e shitjes, veçanërisht për tregun e SME në vend. Kjo do të çojë në një ekonomi sa më pak burokratike, me lehtësi të shtuara në këmbimin e informacionit mes biznesit dhe qeverisë dhe bizneseve me njëri-tjetrin po ashtu”, tha znj. Denaj.

Sa i përket çështjes mbi afatin se kur do të nisë zbatimi i Fiskalizimit, e cila është ngritur si shqetësim nga disa grupe interesi, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë informoi se është menduar të përfshihet një periudhë tranzitore prej tre muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit. Kjo periudhë, tha znj. Denaj, do të lejojë bizneset dhe ofruesit e shërbimit të mund të certifikojnë sistemet softëare me paisjet fiskale të biznesit.

Megjithatë, Ministrja Denaj tha se Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbetet e hapur për të diskutuar me biznesin dhe për të dëgjuar argumentet e tij sa i përket çështjes së afatit, gjatë javëve në vijim kur do të diskutohet mbi udhëzimin për zbatimin e projektligjit.

“Formati i fazës pilot nuk është formati më i mirë për një ligj të tillë dhe për impaktin që ai ka. Hapja e afatit kohor ka qenë një format i pranuar nga ne dhe është vendosur për një afat tranzitor tremujor. Në dy-tre javët në vijim do të ulemi për të folur për udhëzimin, pasi udhëzimi do të ketë shumë teknalitete të cilat do të kërkojnë sërish vëmendjen e të dy palëve, për ta bërë atë të zbatueshëm realisht në të ardhmen, dhe atëherë të diskutojmë që kundrejt këtyre kërkesave teknike dhe të argumentuara të shikojmë zgjatjen e afatit. Të fokusohemi te diskutimi i argumentave teknikë për shtyrjen e afatit në diskutimet tona të ardhme mbi udhëzimin dhe aty të vendosim se sa do të ishte shtyrja”, tha Ministrja.