Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Znj.Delina Ibrahimaj mori pjesë në takimin e organizuar nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA), për të diskutuar mbi projektin e Fiskalizimit, me përfaqësues të kompanive anëtare në këtë shoqatë.
Takimi u zhvillua në kuadër të konsultimeve publike mbi projektligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, ku përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, prezantuan projektin e Fiskalizimit përpara të pranishmëve dhe iu përgjigjën pyetjeve të tyre.
Pas fjalëve përshëndetëse nga Drejtori i DIHA-s, z. Mankollari dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Ibrahimaj, si dhe një përmbledhjeje të shkurtër të komenteve të deritanishme që janë bërë nga anëtarët e DIHA-s, që u bë nga znj. Erinda Xhaferaj, përfaqësuese e PWC Albania, vijoi prezantimi i aspekteve teknike të projektligjit sipas çështjeve të interesit, paraqitur nga përfaqësuesit e kompanive të biznesit gjerman, të pranishme në Shqipëri.
Një sërë pyetjesh morën përgjigje të menjëhershme, ndërkohë që një pjesë tjetër e tyre u mbajtën shënim nga përfaqësuesit e administratës tatimore, për t‘u saktësuar gjatë javëve në vijim. Projekti është ende në fazë përmirësimi dhe po vijon konsultimi me të gjitha grupet e interesit.
Ky projektligj, i cili u është dërguar dhomave të tregtisë për mendim në muajin gusht, ka ngjallur interes dhe përfshirje të komunitetit të biznesit, të cilët janë ftuar të adresojnë me shkrim çdo pyetje dhe sugjerim, pranë grupit të punës.