Institucioni

Institucioni > Lajme >

Projektligji për “Fiskalizimin” konsultohet me përfaqësues të shoqatave të biznesit

Konsultimi publik i projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i njohur si projektligji për “Fiskalizimin”, vijoi sot në tryezën e diskutimit me shoqatat e biznesit në vend.

Tryeza nisi me një prezantim nga ana e Zëvendësministrit të Financave dhe Ekonomisë, z. Elton Haxhi, të pikave kryesore të projektligjit, me synim njohjen nga ana e përfaqësuesve të shoqatave të biznesit, të ndryshimeve kryesore që parashikohen nga zbatimi i Fiskalizimit.

Ashtu si edhe në tryezat e mëparshme të konsultimit, të zhvilluara me grupe të ndryshme interesi, si me kontabilistët, bizneset IT dhe Këshillin Tatimor, Zv.Ministri i Financave dhe Ekonomisë vuri në dukje dy ndryshimet kryesore të projektligjit: fiskalizimi i transaksioneve mes biznesit dhe konsumatorëve, që parashikohet të zbatohet nga data 1 Janar 2020 dhe fiskalizimi i transaksioneve mes bizneseve, si dhe mes bizneseve dhe organeve shtetërore, që parashikohet të nisë zbatimin nga 1 Janari i vitit 2021.

“Këto dy ndryshime janë ato që prekin më tepër dhe kanë një impakt më të madh te biznesi. Këto ndryshime janë bërë për dy qëllime. Qëllimi i parë ka lidhje me transaksionet me para në dorë, kryesisht bëhet për të adresuar çështjet e mosfaturimit apo mosdeklarimit të të ardhurave dhe këto mosdeklarime vijnë kryesisht nga transaksionet me para në dorë. Rrjedhimisht ky problem adresohet nëpërmjet një zgjidhjeje të tillë, që e jep ky projekt i fiskalizimit. Pjesa tjetër është risku i kreditimit të paligjshëm apo nëpërmjet faturave fiktive, dhe këtë risk në mendojmë se e adresojmë nëpërmjet fiskalizimit të faturave midis bizneseve”, u shpreh z. Haxhi.

Duke përfituar nga prania e përfaqësuesve të shoqatave të biznesit të vogël në takim, Zv.Ministri i Financave dhe Ekonomisë sqaroi se ky projekt parashikon një procedurë të veçantë për fiskalizimin e tatimpaguesve të klasifikuar si biznes i vogël.

“Platforma ofron fiskalizim falas për bizneset e vogla të përjashtuara nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, deri në 2 milionë lekë xhiro, që kanë një numër të kufizuar transaksionesh, të cilat do të përcaktohen me VKM dhe për këtë ka vend për konsultim me ju, për të përcaktuar një tavan, i cili do të bënte të mundur që një kategori e mirë biznesesh të vogla të mos kenë nevojë për pajisje fiskale, por të fiskalizojnë transaksionet e tyre direkt në platformën qëndrore. Nga ana tjetër, edhe AKSHI po punon, në bashkëpunim me kompaninë konsulente, për të ofruar një aplikacion falas për biznesin e vogël, në kuadër të fiskalizimit, që mund të përdoret me një pajisje si telefoni apo tableti”, sqaroi Zv.Ministri.

Takimi vijoi me marrjen e mendimeve dhe komenteve nga ana e përfaqësuesve të shoqatave të biznesit, të cilat do të shqyrtohen në kuadër të përmirësimit të draftit të projektligjit.

Konsultimi publik do të vijojë në datën 28 Gusht në tryezën e diskutimit me përfaqësues të bankave të nivelit të dytë.