Institucioni

Institucioni > Lajme >

Këshilli Tatimor diskuton mbi projektligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”

Konsultimi publik i projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” vijoi sot në tryezën e diskutimit me Këshillin Tatimor.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin dhe Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Elton Haxhi, dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj.

Gjatë prezantimit të projektligjit para anëtarëve të Këshillit Tatimor, Zv.ministri Haxhi vuri theksin në risitë e tij, të cilat synojnë një kontroll më të mirë të transaksioneve të tatimpaguesve, si atyre me para në dorë, ashtu edhe atyre pa para në dorë.

“Ndryshimi i këtij sistemi adreson edhe disa çështje të tjera të rëndësishme, qoftë në aspektin e kontrollit tatimor, ashtu edhe në vlerësimin e riskut, si dhe në një kontroll të disa komponentëve të tjerë që kanë të bëjnë me gjendjen parave “cash”, me regjistrin e tatimpaguesve, apo edhe me regjistrin e aktiveve afatgjata, materiale apo jo materiale”, - u shpreh z. Haxhi.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj, vlerësoi konsultimin e projektligjit për Fiskalizimin në Këshillin Tatimor, në funksion të përmirësimit të draftit.

Takimi vijoi me marrjen e mendimeve dhe sugjerimeve nga ana e anëtarëve të Këshillit Tatimor, të cilat do të shqyrtohen e më pas reflektohen në projektligj.

Tryeza e radhës e konsultimit publik me grupet e interesit do të zhvillohet në datën 27 gusht, me shoqatat e biznesit.