Ministria e Financave dhe Ekonomisë zhvilloi sot takimin e radhës me palët e interesit për konsultimin e projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i njohur ndryshe edhe si “Fiskalizimi”.
Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, z.Elton Haxhi, gjatë takimit ku morën pjesë përfaqësues të sektorit të Teknologjisë së Informacionit, bëri një prezantim të përgjithshëm të ndryshimeve që do të sjellë ky projektligj, me qëllim modernizimin e sistemit fiskal. Në këtë takim ishte e pranishme edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj, dhe drejtuesja e Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karçanaj.
Gjatë fjalës së tij, z.Haxhi vlerësoi të rëndësishëm kontributin që po jep ky grup interesi në lidhje me këtë proces, pasi do të sjellë një përmirësim cilësor në aspektin e teknologjisë së informacionit.
“Projektligji i paraqitur për konsultim konsiston në një ndryshim thelbësor në lidhje me sistemin e faturimit dhe teknologjinë, duke bërë të mundur transmetimin e të dhënave nga tatimpaguesit në Administratën Tatimore në kohë reale. Nga 1 janari 2020 do të fillojë sistemi i ri i monitorimit të faturimit “biznes – konsumator”, ose transaksionet me para në dorë. Në janar të vitit 2021 parashikohet që të transmetohen në mënyrë elektronike në kohë reale edhe faturat midis bizneseve dhe më pas do të kemi një transmetim të tillë edhe për transaksionet midis bizneseve dhe qeverisë, organeve shtetërore. Ky takim ka për qëllim më tepër adresimin e çështjeve që do t’i vijnë në ndihmë biznesit me zgjidhje softuerike që do të shërbejnë për transmetimin e të dhënave nga pajisjet fiskale, softuerët fiskalë, në sistemin qendror të monitorimit”, - tha z.Haxhi.
Përfaqësuesit e shoqatave të sektorit të IT-së adresuan çështjet kryesore të vlerësuara nga ana e tyre si të rëndësishme për mbarëvajtjen e procesit të përmirësimit të kuadrit bazë ligjor. Ata vlerësuan këtë nismë të qeverisë, e cila pritet të modernizojë sistemin fiskal shqiptar.
Ditën e nesërme, në datë 23 Gusht, po për këtë qëllim, do të zhvillohet takimi i Këshillit Tatimor.