Në sqarim të ndryshimeve të fundit ligjore, mbi detyrimin e tatimpaguesve për të hapur llogari bankare, sjellim në vëmendje se subjekte të përfshira janë tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimpaguesit persona juridikë, pavarësisht nga qarkullimi që realizojnë, si dhe organizatat jofitimprurëse të regjistruara në organin tatimor.
Nisur nga paqartësitë e krijuara në kuptimin e detyrimit ligjor të mësipërm, po japim një shpjegim më të detajuar si vijon:
1. Personat fizikë tregtarë, të cilët njëkohësisht janë të regjistruar edhe për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar - nga kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në prej 2 000 000 lekë në vit, ose nëse ushtrojnë një profesion të lirë, - janë subjekte të dispozitës së mësipërme;
2. Personat juridikë, pavarësisht nga qarkullimi i realizuar dhe OJF-të, janë po ashtu të detyruar të kenë llogari bankare dhe ta deklarojnë atë në Administratën Tatimore.
Tatimpaguesit e sipërpërmendur, të regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit/Administratës Tatimore janë të detyruar të hapin llogarinë bankare, jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e këtij Ligji (data 26.07.2019) dhe ta deklarojnë atë në Administratën Tatimore.
Po ashtu, edhe tatimpaguesit e regjistruar rishtas, janë të detyruar të hapin llogarinë bankare të biznesit/organizatës jo më vonë se 20 ditë kalendarike nga e nesërmja e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit/Administratën Tatimore dhe ta deklarojnë atë në Administratën Tatimore.
Theksojmë se, përjashtohen nga detyrimi për të hapur dhe deklaruar të dhënat e llogarisë bankare në Administratën Tatimore, vetëm personat fizikë tregtarë, aktualisht të regjistruar, të cilët nuk janë të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar. Në rast se këto subjekte, regjistrohen për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në një moment të dytë, atëherë kanë detyrimin të hapin dhe deklarojnë llogarinë bankare në Administratën Tatimore.
Në rast të mospërmbushjes së detyrimit tatimor të sipërcituar, Ligji nr. 31/2019 “Për disa shtesa në Ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, parashikon sanksione për tatimpaguesit.
Administrata Tatimore nxit tatimpaguesit, subjekte të këtyre përcaktimeve ligjore, të përmbushin në mënyrë vullnetare këtë detyrim ligjor brenda afateve.