Inspektorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, kanë nisur inspektimin e subjekteve të tregtimit të hidrokarbureve në të gjithë vendin, për të çertifikuar regjimin e tyre, me qëllim zbatimin e detyrimit ligjor për regjim automatik.
“Në vijim të Urdhërit të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, do të jemi në të gjithë Shqipërinë dhe do të sigurojmë që pompat të jenë në regjim automatik, duke çertifikuar me plumbçe, secilën prej tyre.” – tha përpara medias, Drejtoresha e Përgjithshme e DPT, znj.Delina Ibrahimaj, ndërsa ndoqi nga afër njërin prej inspektimeve, sot në Tiranë.
Zëvendës Kryeministri, z.Erion Braçe, gjithashtu i pranishëm, siguroi se qëndrimi i Qeverisë në luftë me informalitetin, evazionin fiskal dhe transaksionet e paligjshme, është i vendosur dhe i pakompromis. “ Ky process do të zhvillohet me çdo pompë karburantesh në vend, duke filluar nga shitjet me shumicë e ato me pakicë, për të garantuar respektimin e ligjit nga secili dhe të gjithë.”
Ky proces i çertifikimit të regjimit automatik në tregtimin e hidrokarbureve, është në vazhdën e Planit të gjerë operacional kundër informalitetit, i cili përgjatë gjithë muajit Gusht do të fokusohet tek karburantet, për të garantuar respektimin e rregullit “pa kupon s’ka karburant”, për të 1200 operatorët në këtë sektor, duke nisur nga më të mëdhenjtë deri tek më të vegjëlit.