Institucioni

Institucioni > Lajme >

Shpallet për konsultim publik projektligji për Fiskalizimin: Modernizim në sistemin e taksave, reduktim të ekonomisë informale dhe përmirësim i klimës së të bërit biznes

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hedhur sot për konsultim publik projektligjin mbi “Faturën dhe Monitorimin e Transaksioneve, apo thënë ndryshe projektligjin për Fiskalizimin. http://www.konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/195

Lançimi i këtij konsultimi publik u bë nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, në një konferencë për shtyp, së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj.

Ministrja Denaj informoi se projektligji synon krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend, bazuar në një sistem të ri të pajisjeve fiskale.

Projekti parashikon që, duke nisur që nga data 1 Janar 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen te Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga 1 Janari 2021, të gjitha transaksionet ndërmjet biznesit me njëri- tjetrin dhe ndërmjet biznesit me organet publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike.

“Reforma e Fiskalizimit është një angazhim madhor i Qeverisë, në përpjekjen e saj për të minimizuar ekonominë informale përmes modernizimit të sistemit të monitorimit të taksave. Ne besojmë se ky sistem i ri do të revolucionizojë mënyrën se si bëhet biznes në Shqipëri, por gjithashtu të ardhurat e tij, se si regjistrohen, fiskalizohen dhe për më tej si do të përdoren për përmirësimin e jetës së çdo qytetari, duke synuar më shumë investime në arsim, shëndetësi, drejtësi, infrastrukturë, por mbi të gjitha duke përmirësuar klimën e mirë të biznesit”, u shpreh znj. Denaj.

Ministrja sqaroi më tej se synimi i kësaj reforme është: minimizimi i nivelit të ekonomisë informale; përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave; Identifikimi më i lehtë i evazionit; kryerja e auditimit të taksave më kost-efiçent; ulja e nivelit të korrupsionit në administratë; ofrimi i më shumë shërbimeve publike për qytetarët dhe biznesin; pozicionimi i Shqipërisë më afër standardeve të Bashkimit Evropian.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj, tha se konsultimi publik do të zhvillohet gjatë gjithë muajit gusht, edhe në tryeza me grupet e interesit dhe kategori të ndryshme biznesi, për të arritur draftligjin më të mirë të mundshëm në favor të biznesit.

“Këto konsultime do të vijojnë, duke zgjeruar rrethin e diskutimeve të procesit të fiskalizimit, shoqëruar me një fushatë të fortë ndërgjegjësuese për publikun. Nga sot, në faqen zyrtare të Tatimeve, mund të gjeni një seksion të dedikuar Fiskalizimit, ku do të përcjellim hap pas hapi çdo informacion në mënyrën se si do të funksionojë procesi në të gjitha teknalitetet e nevojshme, duke synuar më shumë transparencë dhe përgjegjësi maksimale”, u shpreh znj. Ibrahimaj.

 

Deklarata e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj:

Ministria e Financave dhe Ekonomisë prezanton sot për konsultim publik projektligjin e ri mbi “Faturën dhe Monitorimin e Transaksioneve” ose thënë ndryshe, projektligji për Fiskalizimin.

Që prej ditës së sotme, draft-ligji është hedhur në faqen e web-it për konsultim publik për gjatë gjithë muajit Gusht 2019. Për të gjithë të interesuarit. ai mund të gjendet  në platformën online të webit në adresën: www.konsultimipublik.gov.al.

Ky ligj synon krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend, bazuar në një sistem të ri të pajisjeve fiskale (gjenerata e re e kasave fiskale).

Nga 1 Janari 2020, të gjithë transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit (B2C), do të raportohen tek Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në një sistem të ri pajisjesh fiskale, ndërsa nga 1 Janari 2021, për të gjithë transaksionet ndërmjet biznesit me njëri- tjetrin dhe ndërmjet biznesit dhe organeve publike (B2G) do të bëhen në bazë të faturës elektronike.

Reforma e Fiskalizimit është një angazhim madhor i Qeverisë në përpjekjen e saj për të minimizuar ekonominë informale, përmes modernizimit të sistemit të monitorimit të taksave. Synimi i këtij projekti është:

  • Minimizim i nivelit të ekonomisë informale;
  • Përmirësimin i mbledhjes së të ardhurave;
  • Identifikim më i lehtë i evazionit;
  • Bërjen e auditimit të taksave më kost-efiçent;
  • Uljen e nivelit të korrupsionit në administratë;
  • Ofrimin e më shumë shërbimeve publike për qytetarët dhe biznesin;
  • Pozicionimin e Shqipërisë më afër standardeve të Bashkimit Evropian.

Nuk do të ketë më fshehje apo të dhëna të manipuluara!

Nuk do të ketë më taksapagues që nuk paguajnë pjesën që u takon.

Biznesi i drejtë nuk do të duhet më të mbajë gjithë barrën e taksës për veten e tij, teksa sheh se si konkurrenca e pandershme përfiton avantazhet që vijnë nga tregu i zi.

Monitoruesit dhe inspektorët tatimorë nuk do të duhet më të fokusohen kryesisht te bizneset e ndershëm, por tek ata që përbëjnë risk për ekonominë nëpërmjet fshehjes së tatimeve.

Qëllimi kryesor i këtij projekti është të luftojë evazionin fiskal nëpërmjet një legjislacioni të shëndetshëm, pajisjeve teknologjike dhe informacionit të përfituar në kohë reale për çdo transaksion të kryer, për çdo produkt dhe në çdo faturë.

Administrata Tatimore do të ketë në dispozicion të dhëna të sakta dhe në kohë reale, të cilat do të shërbejnë për një proces sa më të mirë planifikimi, menaxhimi, vlerësimi dhe vendimmarrje.

Thënë sa më lart, ftoj të gjithë aktorët mediatikë, grupet e interesit, përfaqësuesit e biznesit, të gjithë taksapaguesit, të gjithë qytetarët shqiptarë, të përfshihen përmes dhënies së opinionit të tyre brenda muajit gusht dhe të na mbështesin ne si Ministri e Financave dhe Ekonomisë, Administratën Tatimore për një projektligj sa më afër nevojave të tyre dhe të objektivit madhor të përmendur.

Muaji Gusht 2019 dhe fillimi i muajt Shtator do të jenë muaj intensivë në komunikimit tonë të drejtpërdrejtë me të gjithë grupet e interesit, duke shënuar një përmirësim në komunikimin me ta.

Paralelisht sistemi do të jetë gati për testim brenda muajit Gusht, ndërkohë projekti pilot me disa biznese do të nisë në muajin Tetor. Muaji Nëntor dhe Dhjetor do të jenë muaj intensivë ndërgjegjësimi dhe informimi nga ana e Administratës Tatimore për të gjitha bizneset në vend për t'u përgatitur për sistemin e ri të kasave online.

Ne besojmë se ky sistem i ri do të revolucionizojë mënyrën se si bëhet biznes në Shqipëri, por gjithashtu të ardhurat e tij, se si regjistrohen, fiskalizohen dhe për më tej si do të përdoren për përmirësimin e jetës së çdo qytetari, duke synuar më shumë investime në arsim, shëndetësi, drejtësi, infrastrukturë, por mbi të gjitha duke përmirësuar klimën e mirë të biznesit.

 

Deklarata e Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj:

Fiskalizimi është reformimi i sistemit të taksave, i shoqëruar me modernizimin e mënyrës se si mblidhen taksat. Ndryshimi kryesor që sjell reforma është fatura elektronike dhe transmetimi në kohë reale i faturave tatimore në serverin e Administratës Tatimore.

Sistemi aktual i paisjeve fiskale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve mundëson që të dhënat të dërgohen në fund të ditës, pra me bazë ditore. Sistemi është instaluar në vitin 2009, me teknologjinë e asaj kohe, por nuk arrin standardet që kanë aktualisht shumica e vendeve të Bashkimit Europian.

Ky sistem i ri që propozohet do të krijojë një mekanizëm të mbikqyrjes në kohë reale të pajisjeve fiskale që operojnë me para në dorë dhe atyre pa para në dorë, si dhe do të lehtësojë operativitetin si të tatimpaguesit, ashtu edhe të Administratës Tatimore.

Ndryshimi i teknologjisë është i domosdoshëm, për sa kohë që pajisjet aktuale mbështeten në teknologjinë 2G/3G dhe po zëvendësohen në të gjithë Europën. Për t’u siguruar që të shmanget varësia ndaj një modeli specifik teknologjik, sistemi i ri nuk mbështetet në një model konkret, por në standarde të hapura që ofron aksesi me internet.

Kjo qasje teknologjike do të thotë se Fiskalizimi është i bazuar në software dhe procesi mund të implementohet lehtësisht në çdo pajisje, si telefon, tablet, laptop, desktop, pa patur nevojë për një paisje Hardware sekondare vetëm për të operuar brenda sistemit të fiskalizimit. Në terma afatgjatë, kjo do të ulë ndjeshëm kostot e teknologjisë për tatimpaguesit.

Ndër rezultatet e pritshme të sistemit mund të përmendim:

Mbledhjen më të mirë të taksave në shkallë vendi; Vendet që e kanë implementuar këtë sistem para nesh kanë rezultuar në një mbledhje më të mirë të taksave nga 10%  deri në 15 %, referuar Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe përmirësim të mbledhjes së Tatimit për të Ardhurat Personale.

Ne presim ulje të informalitetit duke përmirësuar dy aspekte kryesore – raportimi i më shumë transaksioneve me para në dorë dhe ulja e transaksioneve të fshehura pa para në dorë. Me një kontroll më të mirë të sistemit fiskal, do të reduktohet informaliteti në ekonominë shqiptare. Fiskalizimi do të na ndihmojë të ndjekim produktin nga importi ose nga prodhimi, gjatë gjithë zinxhirit të vlerës së shtuar deri te konsumatori final. Kjo do të ulë evazionin në drejtim të mosdeklarimit të shitjeve.

Fiskalizimi do të sjellë rritje të efiçencës në raportimin tatimor – me më shumë informacion të mbledhur nga një tatimpagues, Administrata Tatimore do të jetë në gjendje t’i ofrojë një shërbim më të mirë tatimpaguesit, si plotësimi paraprak i faturave të TVSH-së me të dhëna tashmë të gatshme të tatimpaguesit. Kjo do të përshpejtojë raportimin tatimor dhe reduktojë gabimet në këtë proces.

Përmirësim i kontrollit tatimor dhe verifikimit në terren – duke përdorur sistemin e fiskalizimit, do të mundësohet kontrolli dhe inspektimi tatimor mbi bazën e riskut, çka do të rezultojë në identifikimin e drejtëpërdrejtë të abuzuesve, duke shmangur kështu inspektimet në bizneset e rregullta.

Ndërsa është i hapur procesi i konsultimit publik për projektligjin mbi Fiskalizimin, Administrata Tatimore, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, me qëllim që të kryejë një proces sa më transparent dhe gjithëpërfshirës, do të organizojë gjatë muajit Gusht disa tryeza të rrumbullakëta me grupe interesi dhe kategori të ndryshme biznesesh, për të arritur modelimin më të mirë të mundshëm në favor të biznesit.

Këto konsultime do të vijojnë, duke zgjeruar rrethin e diskutimeve të procesit të fiskalizimit, shoqëruar me një fushatë të fortë ndërgjegjësuese për publikun.

Nga sot, në faqen zyrtare të Tatimeve, mund të gjeni një seksion të dedikuar Fiskalizimit, ku do të përcjellim hap pas hapi çdo informacion mbi mënyrën se si do të funksionojë procesi në të gjitha teknalitetet e nevojshme, duke synuar më shumë transparencë dhe përgjegjësi maksimale.