Institucioni

Institucioni > Lajme >

Ndërgjegjësim i biznesit mbi elementët e riskut në vetëdeklarimet e tyre!

Ndërsa vijon në të gjithë vendin zbatimi i Planit Operacional kundër informalitetit, strukturat e shërbimit për tatimpaguesit vazhdojnë vizitat informuese dhe takimet ndërgjegjësuese me subjektet që operojnë në sektorin e hoteleri – turizmit dhe kontabilistët e tyre.

Në Durrës, Vlorë, Sarandë, Shkodër, Lezhë, Fier dhe Pogradec, janë zhvilluar takime me kontabilistët (ekonomistët) e këtyre subjekteve, kryesisht ata të biznesit të vogël, pasi vihet re një këshillim i gabuar dhe jokorrekt për zbatimin e Legjislacionit tatimor.

Me ndjeshmërinë për të mos cënuar kohën e punës, takimet janë mbajtur në vendet e tyre të ushtrimit të biznesit, në formë bashkëbisedimesh në grupe të zgjeruara.  

Punonjësit e shërbimit të Administratës Tatimore informojnë dhe sensibilizojnë tatimpaguesit mbi kornizën e procedurave tatimore për respektimin e detyrimeve ligjore, duke shpjeguar në detaje mënyrën sesi lexohen elementët e riskut në vetëdeklarimet e tyre.

Vizitat informuese do të vazhdojnë në çdo qytet të Shqipërisë, për të ndërtuar vetëdijen e tatimpaguesve për domosdoshmërinë e raportimit korrekt, si e vetmja mënyrë që shmang masat administrative ndaj tyre.

Prej muajit maj deri më sot janë realizuar mbi 20.000 vizita ndërgjegjësuese ndaj tatimpaguesve.