Institucioni

Institucioni > Lajme >

Administrata Tatimore – qytetarëve që lëshojnë prona me qera: Njihni Ligjin!

 

I nderuar qytetar!

Çdo individ ka të drejtë të shfrytëzojë asetet që zotëron (shtëpi, apartamente, etj) për të përfituar të ardhura në formë të ligjshme.

Në zbatim të Ligjit nr.8438 datë 28.12.1998 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, i ndryshuar, nenet 8 dhe 9, këto të ardhura janë të tatueshme me shkallë tatimore 15%.

1- Në rastin kur pronën tuaj ia keni dhënë me qera një Subjekti të regjistruar, ky i fundit është përgjegjës për mbajtjen, deklarimin dhe pagesën e tatimit në burim për llogari të organit tatimor.

2- Kur qeramarrësi (paguesi i të ardhurave) është një person i paregjistruar, si në rastin e turistëve vendas apo të huaj, ju si përfitues i të ardhurave, jeni i detyruar të deklaroni dhe të paguani në organin tatimor, tatimin në burim jo më vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa.

Deklarimi dhe pagesa mund të kryhen on-line nëpërmjet www.tatime.gov.al ,  por më parë individi përfitues duhet të paraqitet pranë zyrës së Shërbimit të Tatimpaguesve pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore, më afër tij, për t’u regjistruar për përgjegjësine tatimore të tatimit në burim dhe për t’u pajisur me fjalëkalimin për hyrjen në llogarinë e tij në sistemin e deklarimit elektronik.

Deklarimi kryhet vetëm elektonikisht në formën e shpjeguar në vijim:

  • Hapet faqja zyrtare e administratës tatimore tatime.gov.al
  • Në menunë “e-sherbime” zgjidhet rubrika “individët”, në të cilën klikohet për të aksesuar llogarinë e deklarimit elektronik.
  • Hapet dritarja e aksesimit në llogari, ku si emër përdoruesi hidhet numri personal (sipas kartës së identitetit) dhe jepet fjalëkalimi përkatës
  • Për të aksesuar llogarinë, duhet të zgjidhet “E lexova dhe bie dakord me termat dhe kushtet”.
  • Me hyrjen në llogari, në menunë “Deklarata” zgjidhet “Tatimi në burim”.
  • Tek rubrika “Deklarata të padorëzuara” listohen deklaratat që duhet të plotësohen
  • Zgjidhet periudha për të cilën do të kryhet deklarimi.

Individi përfitues i të ardhurave, plotëson rubrikën 15 “Pagesat për qeratë” të Deklaratës së tatimit të mbajtur në burim duke hedhur shumën mujore të përfituar nga qeratë dhe tatimin e llogaritur në masën 15 %.

Duke shtypur butonin “Dorezo”, deklarimi përfundon dhe konsiderohet i dorëzuar në administratën tatimore.

Pas dorëzimit, deklarata mund të printohet për dokument. duke shtypur butonin “Printo”.

Për kryerjen e pagesës, individi përfitues i të ardhurave, në menunë “Deklarata të dorëzuara”, zgjedh periudhën përkatëse dhe shtyp butonin “Printo Urdhër Pagese”. Urdhër Pagesa e printuar shërben për të kryer pagesën në sportelet e bankave.

Deklarimi elektronik dhe pagesa e Tatimit në Burim duhet të kryhen brenda datës 20 të çdo muaji.

KUJDES!

Deklarimi i tatimit në burim nuk rregullon rastet kur jepni me qera mjedise në pronësinë tuaj, të cilat shërbejnë si njësi të mirëfillta akomodimi për turistë (si bed&breakfast). Ju keni detyrimin ligjor të regjistroheni pranë QKB si subjekt që ushtron aktivitet tregtar.

 Për mënyrën e deklarimit elektronik dhe informacione të tjera të nevojshme, ju mund: 

  • t’i drejtoheni zyrave të Shërbimit të Tatimpaguesve, në Drejtorinë Rajonale pranë Jush;
  • të telefononi në numrin e gjelbër pa pagesë 0800 00 02 pranë Qendrës së Thirrjeve, si dhe
  • të përdorni shërbimin Live Chat në faqen zyrtare të DPT-së, tatime.gov.al

Ju kujtojmë se përmbushja vullnetare e detyrimeve që ju ngarkon ligji, përveçse një detyrim ligjor përbën dhe një akt qytetar, i cili shpreh vullnetin tuaj për forcimin e shtetit ligjor.

Administrata Tatimore ju siguron që do të ndërmarrë të gjitha masat si për mbledhjen e tatimeve njëkohësisht edhe për t’ju lehtësuar ju në realizimin e detyrimeve tuaja.