Institucioni

Institucioni > Lajme >

Administrata Tatimore – Tatimpaguesve dhe qytetarëve: Njihni Ligjin!

 

Ndërsa vijojnë kontrollet nga Strukturat e Monitorimit në Terren, Administrata Tatimore do të sjellë vazhdimisht në vëmendje të tatimpaguesve dhe qytetarëve rregullimet ligjore për shkelje të ndryshme të procedurave Tatimore, sipas parashikimit të Ligjin nr.9920 datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

 

  • Për moslëshim kuponi tatimor (rasti parë i konstatuar) - gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe përveç masës së gjobës për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet vlerësim tatimor për tre muajt e fundit, duke përdorur metodat alternative, të parashikuara në nenet 71 dhe 72 ligjit - (neni 122, pika b.i)
  • Për moslëshim kuponi tatimor (rasti dytë i konstatuar) - përveç gjobës në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, merret masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 30 ditë kalendarike;

 

  • Për lëshim kuponi jo tatimor (me elementë jo të percaktuar në ligj) -  gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. ( neni 122, pika c)
  • Për lëshim kuponi me vlerë të ndryshme nga çmimi deklaruar/afishuar - gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. ( neni 122, pika c)

 

  • Për shitje pa fature tatimore - gjobë të barabartë me 100 për qind të tatimit të padeklaruar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç tatimit dhe kamatëvonesave që llogariten. (neni 124 pika 1). Nëse konstatohet një rast i përsëritur, përveç gjobës së mësipërme,  gjithashtu ndërmerren masat e mëposhtme: 
  • Tatimpaguesi, që nuk është i regjistruar për TVSH-në, në momentin kur konstatohet shkelja e përsëritur, sipas këtij neni, regjistrohet për TVSH-në.
  • Tatimpaguesi i regjistruar për TVSH-në dhe tatimin e thjeshtuar të fitimit, në momentin kur konstatohet shkelja e përsëritur, sipas këtij neni, regjistrohet për tatimin mbi fitimin.

 

  • Për mosafishim të listës së çmimeve - gjobë me 100 000 (njëqind mijë) lekë për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin dhe 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë për tatimpaguesit e tjerë, sipas parashikimeve të nenit 130, duke veçuar sipas rasteve: Biznes i Madh apo i Vogël. 
  • Tatimpaguesi, që nuk arrin të mbajë regjistrat dhe dokumentacionin tatimor, të kërkuar sipas këtij ligji, detyrohet të paguajë një gjobë me 10 000 lekë, për çdo shkelje, në rastet kur është klasifikuar si biznes i vogël dhe me 50 000 lekë për çdo shkelje, në rastet kur është klasifikuar si lloj tjetër biznesi. (Neni 118)

 

  • Në rast se një tatimpaguesi i është bllokuar veprimtaria nga administrata tatimore dhe ai prish shenjat dalluese të vendosura për bllokim të veprimtarisë, atij i konfiskohet e gjithë sasia e mallit.
  • Tatimpaguesi, i cili, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, pengon ushtrimin e të drejtave të administratës tatimore për kontrollin apo hetimin tatimor, dënohet me një gjobë nga 100 000 lekë, për biznesin e vogël dhe 1 000 000 lekë për bizneset e tjera.

Sjellim në vëmendje të qytetarëve, se është në të drejtën dhe detyrimin e tyre të kërkojnë kuponin tatimor për çdo mall apo shërbim që paguajnë. Në çdo pagesë që bëni ju e paguani vlerën e TVSH; nëse nuk merrni kupon tatimor, paratë tuaja humbasin në xhepin e bizneseve të parregullta  që nuk e deklarojnë atë.

Kemi nevojë të jemi të gjithë bashkë në luftën kundër informalitetit, për të garantuar konkurencën e ndershme në treg dhe të drejtën e secilit qytetar.