Institucioni

Institucioni > Tatimet Këshillojnë > Mbi Udhëzimin për “Procedurat Tatimore”

Transferimi i detyrimit tatimor palës së tretë

 

Sipas dispozitave të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nëse nga shitja e pasurisë së sekuestruar të tatimpgauesit nuk arrihet të arkëtohet detyrimi tatimor i papaguar, Administrata Tatimore ka të drejtë të kërkojë përmbushjen e këtij detyrimi edhe nga personat e tretë, nëpërmjet transferimit të detyrimit të tatimpaguesit tek këta persona. Persona të tretë, konsiderohen ata persona, të cilët gjatë periudhës së mbledhjes me forcë të detyrimeve kundrejt një tatimpaguesi, kanë përfituar prej tij pasuri të ndryshme.

Administrata Tatimore dërgon një njoftim në adresë të personit të tretë dhe ky njoftim përmban të dhëna për emrin tregtar apo emrin në rastin e personit fizik, apo individ, të personit të tretë që i transferohet detyrimi, NIPT-in, nëse ka, selinë e regjistruar apo adresën e vendbanimit të tij, shumën e detyrimit që atij i transferohet si detyrim tatimor dhe informacion rreth tatimpaguesit debitor.

Detyrimi tatimor që do të përllogaritet për personin e tretë, ndaj të cilit është transferuar detyrimi, do të bëhet mbi bazën e vlerës së tregut të pasurisë e cila i është transferuar personit të tretë.

Personit të cilit i transferohet detyrimi, i jepen të gjitha të drejtat që ai ka për ta kundërshtuar këtë transferim, dhe për t'i provuar Administratës Tatimore, se detyrimi tatimor nuk mund t'i transferohet këtij personi.

Kujdes!

Nëse personi që i transferohet detyrimi, edhe pas njoftimit të bërë nga administrata tatimore, nuk e kundërshton atë brenda afateve kohore të parashikuara në ligj për tatimpaguesin, administrata tatimore është e detyruar të fillojë të gjitha masat shtrënguese që i jep ligji për mbledhjen me forcë të tatimit prej tij.

E drejta për të kërkuar detyrimet nga pala e tretë

Administrata Tatimore njëkohësisht me procedurat e tjera të vjeljes me forcë të detyrimit tatimor të përcaktuara në ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në ato raste kur ka dijeni që palë të treta kanë për të paguar shuma të caktuara në favor të tatimpaguesit debitor, mund të kërkojë nga këtA persona që detyrimet e tyre monetare kundrejt tatimpaguesit, ti derdhin në favor të administratës tatimore.

Fillimisht Administrata Tatimore njofton paraprakisht me shkrim palët e treta për të kryer këto pagesa në favor të administratës tatimore dhe detyrimi i tyre fillon brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftimit. Edhe në këtë rast zbatohen procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimit nga pala e tretë, nëse kjo e fundit nuk ka paguar detyrimin brenda afatit.

Përgjegjësia e ortakut, aksionerit dhe administratorit

Në rastin e personave juridikë, kur pas shitjes së pasurive të personit tatimpagues debitor, administrata tatimore nuk ka arritur ta mbledhë detyrimin tatimor të papaguar kundrejt saj, ajo e transferon detyrimin tatimor të personit juridik tek ortakët, aksionerët dhe tek administratorët e personit juridik. Si të tillë do të konsiderohen vetëm ata persona, të cilët figurojnë me cilësitë e mësipërme në regjistrin tregtar apo në regjistrat e tjerë, ku personi juridik është i regjistruar, mbas datës së daljes së njoftimit të detyrimit tatimor për tatimpaguesin. Për çdo rast kjo përgjegjësi individuale do të jetë e njëjte me pjesën që ortaku apo aksioneri zotëron në kapitalin themeltar të shoqërisë.

Në ato raste, kur debitor është edhe administratori i shoqërisë, Administrata Tatimore kontrollon nëse administratori i shoqërisë, është ortak apo aksioner në kapitalin themeltar të shoqërisë. Kur administratori është ortak apo aksioner në kapitalin themeltar të shoqërisë, përgjegjësia e tij është njëjte me atë të ortakeve apo aksionerëve të tjerë të shoqërisë. Në rastin kur administratori nuk ka cilësinë e ortakut Administrata Tatimore e trajton atë si debitor solidar, bashkë me ortakët apo administratorët e tjerë të shoqërisë.

Në rast se personi juridik tatimpagues i cili ka detyrime tatimore të papaguara, nuk arrin t'i paguajë këto detyrime edhe pas përfundimit të procesit të likuidimit apo falimentimit, detyrimi tatimor i papaguar, iu transferohet si solidarë personave që kanë pasur cilësinë e ortakut, aksionerit apo të administratorit/administratorëve në momentin e kryerjes së procesit të likuidimit apo falimentimit të personit tatimor debitor për detyrimet tatimore.

Dokumenta ndihmëse