Institucioni

Institucioni > Tatimet Këshillojnë > Mbi Udhëzimin për “Procedurat Tatimore”

Ndërprerja e procedurave të mbledhjes me forcë të detyrimit tatimor

Masat shtrënguese për sigurimin e pagimit të detyrimit tatimor, ndërpriten nga
Administrata Tatimore, në rast se tatimpaguesi e ka paguar të gjithë detyrimin e tij tatimor, kur tatimet janë falur me ligj nga ana e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe kur sipas përcaktimit në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, është vendosur dhe shpallur detyrimi tatimor i pambledhshëm.

Procedurat për deklarimin e detyrimit tatimor si të pambledhshëm

Deklarimi si i pambledhshëm i detyrimeve tatimore, është procesi i cili kryhet vetëm në raste ekstreme dhe nuk është arritur të mblidhet dhe të arkëtohet detyrimi tatimor.

Detyrimi tatimor mund të deklarohet i pambledhshëm vetëm në rastet e mëposhtme:

  • Kur megjithëse është bërë shitja e investimeve likuide dhe aktiveve të tjera, nuk është bërë i mundur arkëtimi i detyrimit.
  • Tatimpaguesi në bashkërendim me Administratën Tatimore provojnë me evidencë të saktë se tatimpaguesi nuk disponon asnjë lloj pasurie apo të ardhure, që do të mund të përdorej për shlyerjen qoftë edhe me këste të detyrimit tatimor të papaguar.
  • Pas analizës së situatës financiare dhe pasurore të subjektit tatimpagues, Administrata Tatimore arrin në përfundimin se shitja e pasurisë së tatimpaguesit, ndaj të cilit do të fillonte një procedure likuidimi apo falimentimi, nuk do të shlyente shumën e detyrimit tatimor.

Kujdes!

Që detyrimi tatimor të deklarohet i pambledhshëm, duhet që të trija pikat më lart të plotësohen në mënyrë të njëkohshme.

Fillimi i procedurave të falimentimit

Fillimi i procedurës së falimentimit në gjykatë nga Administrata Tatimore, bëhet në përputhje me ligjin nr.110/2016 “Për Falimentimin”.
Administrata Tatimore në të cilën është regjistruar tatimpaguesi, ose në juridiksionin e të cilës ushtrohet veprimtaria ekonomike e tatimpaguesit, ka detyrimin të kërkojë në gjykatën kompetente, fillimin e procedurave të falimentimit.
Për të gjithë ata tatimpagues, ndaj të cilëve Administrata Tatimore ka kërkuar fillimin e një procedure falimentimi, publikohen informacionet përkatëse në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Dokumenta ndihmëse