Institucioni

Institucioni > Tatimet Këshillojnë > Mbi Udhëzimin për “Procedurat Tatimore”

Plotësimi i pasaktë i deklaratës tatimore

Nëse tatimpaguesi dorëzon një deklaratë tatimore të pasaktë, dënohet me një gjobë të barabartë me 0.06% të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë, gjatë së cilës pagesa nuk është kryer.

Në asnjë rast, gjoba nuk llogaritet për një periudhë më të gjatë se 365 ditë kalendarike. Shuma e papaguar e detyrimit tatimor është diferenca ndërmjet detyrimit tatimor, që duhet paguar dhe shumës së tatimit të paguar.

Një deklaratë tatimore, quhet e pasaktë kur nuk është e plotësuar me të dhënat reale financiare të subjektit.

Deklarata tatimore do të konsiderohet e saktë kur detyrimi tatimor ose teprica kreditore është llogaritur në mënyrë korrekte dhe për të cilën nuk është bërë asnjë gabim aritmetik ose logjik.

Nëse pasaktësia është bërë me dashje dhe kjo arsyetohet dhe provohet bazuar në dokumentacione, fakte dhe rrethanat konkrete, atëherë nga Administrata Tatimore do të konsiderohet evazion.

Shembull:

Në muajin dhjetor, tatimpaguesi, konstaton se ka harruar të regjistrojë në Librin e Shitjeve të TVSH dhe të deklarojë në FDP-në e muajit shtator, një faturë me vlerë të tatueshme 10,000 lekë dhe TVSH të llogaritur 2,000 lekë. Në këtë rast tatimpaguesi do të dorëzojë një deklaratë të re për periudhën tatimore shtator , ku të ketë reflektuar gabimin e sipërpërmendur. Në të njëjtin moment, tatimpaguesi paguan diferencën e papaguar, pra 2,000 lekë TVSH, si dhe kamatvonesë për këtë shumë.

Mosmbajtja e saktë e librave, regjistrave dhe dokumentacionit

Tatimpaguesi, i cili nuk mban regjistrat dhe dokumentacionin tatimor, të kërkuar sipas ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore ne RSH”, i ndryshuar, detyrohet të paguajë një gjobë me 10,000 lekë, për çdo shkelje, në rastet kur është klasifikuar si biznes i vogël dhe me 50,000 lekë për çdo shkelje, në rastet kur është klasifikuar si lloj tjetër biznesi.

Kjo gjobë aplikohet për mosmbajtjen e librave, regjistrave apo dokumentacionit tatimor. Gabimet jo materiale, që nuk cenojnë në thelb përmbajtjen e dokumentacionit dhe nuk kanë efekt në llogaritjen e saktë të detyrimeve tatimore, nuk dënohen me gjobë.
Penaliteti do të aplikohet kur gabime të tilla jo materiale, janë të shumta, të përsëritura dhe tatimpaguesi nuk merr masa për rregullimin e tyre.

Dokumenta ndihmëse