Institucioni > Politikat e privatësisë >
Politikat e privatësisë
Administrata tatimore është e angazhuar maksimalisht në ushtrimin e detyrave të saj funksionale në përputhje të plotë me ligjin organik dhe dispozitat ligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve garanton çdo tatimpagues se të dhënat e tij tatimore apo personale të administruara prej saj do të trajtohen në përputhje të plotë me ligjin, konform parashikimeve të neneve 24, dhe 25 të Ligjit 9920, datë 19.05.2008 "Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë" i ndryshuar, si dhe Ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 "Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale" i ndryshuar.
Mbrojtja e të dhënave personale
Mbrojtja e të dhënave personale te tatimpaguesve bazohet në:
- përpunimin në mënyrë të ndershme, të drejtë dhe të ligjshme te informacionit tatimor;
- në grumbullimin për qëllime specifike, të përcaktuara qartë, e legjitime dhe në përpunimin në përputhje me këto qëllime te te dhenave tatimore;
- në saktësinë nga ana faktike dhe, kur është e nevojshme, përditësimin e kryerjen e çdo veprimi për të siguruar që të dhënat e pasakta e të parregullta të fshihen apo të ndryshohen;
- në mbajtjen në atë formë, që të lejojë identifikimin e subjekteve të të dhënave për një kohë, por jo më tepër sesa është e nevojshme për qëllimin, për të cilin ato janë grumbulluar ose përpunuar.
Dhënia e informacionit tatimor nga administrata tatimore
Informacioni tatimor për tatimpaguesin, i administruar nga administrata tatimore, u ofrohet pa pagesë autoriteteve të përcaktuara në këtë nen, pas depozitimit të kërkesës me shkrim dhe kur verifikohen rrethanat e mëposhtme:
- gjyqtarit, nëse është në gjykim ose në hetim të një çështjeje civile, të lidhur me një tatimpagues, për pjesën që u takon marrëdhënieve të tij me administratën tatimore;
- gjyqtarit apo prokurorit, nëse është në gjykim ose në hetim të një çështjeje penale, të lidhur me një tatimpagues, për pjesën që u takon marrëdhënieve të tij me administratën tatimore;
- Kontrollit të Lartë të Shtetit, vetëm për rastet, kur kërkesa e bërë është në funksion të kontrollit të kryer nga ky institucion ndaj administratës tatimore, në funksion të hartimit të rekomandimeve të veta;
- autoritetit të ngjashëm të huaj, me të cilin Kuvendi ka ratifikuar marrëveshje ndërkombëtare dhe informacioni kërkohet në kuadër të ekzekutimit të marrëveshjes;
- autoritetit homolog të huaj ose autoriteteve vendase, me të cilat Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dy ose shumëpalëshe, me objekt shkëmbimin e informacionit;
- institucioneve të pavarura, të krijuara me ligj;
- çdo autoriteti tjetër, sipas parashikimit të bërë me ligj të veçantë.
Konfidencialiteti
- Nëpunësit dhe punonjësit e administratës tatimore, qendrore, dhe vendore, ruajnë konfidencialitetin e të dhënave tatimore dhe financiare të tatimpaguesit, që i kanë siguruar gjatë kryerjes së detyrës. Kjo pikë nuk zbatohet për detyrimet tatimore, për të cilat kanë filluar procedurat e mbledhjes me forcë.
- Detyrimi për ruajtjen e konfidencialitetit vazhdon edhe pasi nëpunësi apo punonjësi nuk është më i punësuar pranë administratës tatimore.
- Informacioni i lidhur me tatimpaguesin përdoret brenda administratës tatimore, vetëm në masën e kërkuar për administrimin e tatimeve.
- Kushti i ruajtjes së konfidencialitetit përfundon në rastet kur tatimpaguesi heq dorë, me shkrim, nga e drejta e tij për ruajtjen e konfidencialitetit dhe për aq sa është e lejuar në deklarimin e bërë nga tatimpaguesi.
- Shkëmbimi i informacionit, i bërë në ekzekutim të marrëveshjeve të lidhura nga administrata tatimore, bëhet me kushtin e ruajtjes së konfidencialitetit për institucionet dhe individët, që marrin dijeni për të dhënat tatimore.
Administrata tatimore është përgjegjëse për zbatimin e këtyre kërkesave në të gjitha përpunimet automatike ose me mjete të tjera të të dhënave.