DAC7 – Raportimi nga operatorët e platformave digjitale
- Çfarë është kjo direktivë?
DAC7 parashikon rregulla për raportimin e informacionit nga operatorët e platformave digjitale për shitësit që realizojnë të ardhura nëpërmjet platformave. Ajo lidhet me rritjen e transparencës në ekonominë digjitale.
- Cili është qëllimi i saj?
Qëllimi i DAC7 është të sigurojë që të ardhurat e realizuara përmes platformave digjitale të jenë të identifikueshme dhe të deklarohen sipas rregullave tatimore. Ajo ndihmon në krijimin e kushteve të barabarta ndërmjet bizneseve tradicionale dhe atyre që operojnë nëpërmjet platformave.
- Cilat kategori informacioni mbulon?
DAC7 mbulon informacion për shitësit dhe aktivitetet e realizuara nëpërmjet platformave, duke përfshirë:
* dhënien me qira të pasurive të paluajtshme;
* shërbimet personale;
* shitjen e mallrave;
* dhënien me qira të mjeteve të transportit;
* të dhëna identifikuese të shitësit;
* të ardhurat ose shumën e pagesave të realizuara;
* komisionet, tarifat ose shumat e mbajtura nga platforma;
* të dhëna të tjera të nevojshme për raportim.
- Kush mund të preket nga detyrimet e raportimit?
Detyrimet kryesore të raportimit prekin operatorët e platformave digjitale. Shitësit që përdorin këto platforma mund të preken në mënyrë indirekte, pasi platforma mund t’u kërkojë informacion identifikues dhe tatimor për të përmbushur detyrimet e raportimit.
- Çfarë po bën Administrata Tatimore për përafrimin?
Administrata Tatimore po punon për përgatitjen e kuadrit ligjor dhe nënligjor për DAC7. Kjo përfshin përcaktimin e operatorëve raportues, shitësve të raportueshëm, procedurave të kujdesit të duhur, afateve të raportimit, shkëmbimit të informacionit dhe masave për sigurimin e cilësisë së të dhënave.
- Kur pritet zbatimi?
Zbatimi do të përcaktohet në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore që do të miratohen dhe me kalendarin e përafrimit me BE-në. Përpara zbatimit, Administrata Tatimore do të publikojë udhëzime dhe materiale informuese për operatorët e platformave dhe përdoruesit e tyre.
- Pyetje dhe përgjigje për tatimpaguesit
A preken personat që shesin mallra ose japin apartamente me qira përmes platformave?
Po, nëse aktiviteti realizohet përmes një platforme të përfshirë në rregullat e raportimit dhe plotësohen kriteret ligjore.
Kush e bën raportimin, shitësi apo platforma?
Në përgjithësi, raportimi bëhet nga operatori i platformës. Megjithatë, shitësi duhet të japë informacion të saktë identifikues dhe tatimor kur kërkohet.
A do të tatohen automatikisht të gjitha pagesat e raportuara?
Raportimi nuk zëvendëson deklarimin tatimor. Informacioni përdoret nga administrata për verifikim, analizë risku dhe administrim tatimor sipas ligjit.