Legjislacioni > Procedurat tatimore >

Procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë

Ligji për procedurat tatimore dhe aktet nënligjore dalë në zbatim të tij rregullojnë procedurat për administrimin e detyrimeve tatimore, parimet e organizimit e të funksionimit të administratës tatimore në Republikën e Shqipërisë etj.

Ky ligj, përcakton parimet bazë mbi të cilat mbështetet sistemi tatimor shqiptar, administrimi i tij. Sanksionohen të drejtat e tatimpaguesve, që në fakt janë një balancë e plotë përkundrejt detyrimeve të tyre kontributive, në të hyrat e buxhetit të shtetit.

Në mënyrë të qartë ligji përcakton mënyrën e mbajtjes së dokumetacionit për qëllime tatimore nga tatimpaguesit.

Duke qenë se vendos parimin e vetëvlerësimit si parësor në përmbushjen e detyrimeve të tatimpaguesve, në ekuilibër të plotë me të, qëndron roli i administratës tatimore. Kështu, përveç misionit të saj mbështetës në arritjen e qëllimit të përmbushjes tatimore nga tatimpaguesit, kjo administratë ushtron të drejtën e saj të kontrollit, mbështetur veçse në një parim, atë të përzgjedhjes në bazë të analizës së riskut.

Në shërbim të interesave të biznesit të rregullt, përsa i takon anës dokumentare, sinqeritetit e besueshmërisë së deklarimeve, ligji ka përcaktuar masa administrative të përshkallëzurara për ata tatimpagues që i shmangen parimit të vullnetarizmit në deklarimin e pagesën e detyrimeve tatimore.

Së fundi, një sistem efikas apelimi, që i mundëson çdo tatimpaguesi të shfrytëzojë lirshëm të drejtën e ankimimit është mundësuar nga ligji në fjalë.

Ligji aktual i procedurave tatimore, i miratuar në Maj 2008, ka pësuar një sërë ndryshimesh të kushtëzuara nga etapat e zhvillimit ekonomik, duke ju përgjigjur politikave fiskale të pushtetit ekzekutiv si dhe nevojave të komunitetit të biznesit.

Me qëllim unifikimin e trajtimit të problematikave apo rasteve të diskutueshme të ndeshura në praktikë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka dalë me qëndrime unifikuese apo vendime teknike.

Më poshtë do të gjeni aktet ligjore dhe nënligjore dalë në zbatim të ligjit të Procedurave Tatimore në Republikën e Shqipërisë si dhe vendimet teknike të DPT.

Dokumenta ndihmëse