OJF & Ente Publike > Mbajtja e të dhënave > Mbajtja e të dhënave dhe faturimi

Mbajtja e të dhënave dhe faturimi

Organizatat Jofitimprurëse dhe Entet Publike/Ndërmarrjet Shtetërore kanë detyrimin ligjor të mbajnë dhe dokumentojnë veprimtarinë që ata ushtrojnë sipas kërkesave ligjore në fuqi. Dokumentacioni i kërkuar është në funksion të përgjegjëseve tatimore për të cilat këto subjekte janë regjistruar.

Mbajtja e të dhënave dhe faturimi

“Libra dhe regjistrime” janë regjistrimet tregtare, dokumentacioni kontabël, llogaritë vjetore dhe raportet financiare, si dhe të gjitha dokumentet e tjera, që kanë të bëjnë me subjektin tatimpagues, korrespondencën e biznesit, faturat dhe dokumentet përkatëse, që duhen krijuar dhe mbajtur për përcaktimin e shumave të tatimeve, që duhen paguar nga tatimpaguesi;
Dokumentimi dhe mbajtja e të dhënave tatimore për tatimpaguesit, subjekt i TVSH-së ose i Tatim Fitimit.

A. Organizatat Jofitimprurëse dhe Entet Publike, që janë subjekt i TVSH-së ose i tatimit mbi fitimin, për përllogaritjen e detyrimit tatimor, mbajnë regjistrat, dokumentacionin kontabël, librat dhe informacionin financiar, si dhe lëshojnë faturë tatimore, dëftesë tatimore ose kupon tatimor, në përputhje me ligjet përkatëse, si dhe aktet nënligjore, të nxjerra në zbatim të tyre.

B. Organizata Jofitimprurëse dhe Entet Publike, subjekt i TVSH-së, regjistron menjëherë të gjitha veprimet financiare dhe përgatit e mban libra e regjistra kontabël, ku regjistrohen:

  1. Shitjet e përditshme të mallrave ose kryerja e punimeve apo e shërbimeve të tatueshme, përfshirë shumën e secilit veprim dhe shumën e tatimit të ngarkuar;
  2. Veprimet e përfunduara, por akoma të pafaturuara;
  3. Veprimet e patatueshme;
  4. Pagesat për mallra dhe shërbime, përfshi shumën e secilës blerje apo pagesë, shumën e tatimit të paguar dhe emrin e adresën e furnizuesit.

C. Çdo blerësi, person fizik, juridik ose individ, i lind e drejta të mos kryejë transaksionin për vlerën e mallit ose shërbimit të ofruar, nëse shitësi nuk lëshon faturën tatimore ose kuponin tatimor, në përputhje me këtë ligj. Për këtë qëllim, Organizatat Jofitimprurëse dhe Entet Publike detyrohen të afishojnë në një vend të dukshëm, në adresën ku kryejnë veprimtarinë, një njoftim për blerësin në përputhje me këtë nen.