Organizata jofitimprurëse është e detyruar të regjistrohet për Tatimin mbi Fitimin, në rast se kryen aktivitet ekonomik dhe realizon të ardhura të tatueshme sipas përcaktimeve të ligjit 8438, Datë 28.12.1998 për Tatimin mbi të Ardhurat.
Mundësia për deklarim
A. Në ato raste kur tatimpaguesi, i cili edhe pse mund të jetë themeluar si OJF apo Ent publik/ndërmarrje shtetërore ka për detyrim të dorëzojë deklaratën për tatimin mbi fitimin, apo në raste të tjera edhe më specifike ku nuk është i përjashtuar nga tatimi mbi fitimin dhe qarkullimi vjetor objekt i tatimit është më i vogël se 8 mln lekë në vit, në ato raste tatimpaguesi i referohet përkatësisht trajtimit që bëhet në Ligjin Nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore", i ndryshuar.
B. Fitimi i tatueshëm për periudhën tatimore përcaktohet në bazë të bilancit dhe të anekseve të tij, që duhet të jenë hartuar në përputhje me ligjin “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”.
C. Organizata jofitimprurëse përgatit deklaratën vjetore të të ardhurave të tatueshme në formën e përcaktuar në udhëzimin e Ministrit të Financave, dhe e dorëzon në organet tatimore brenda datës 31 Mars të vitit pasardhës, duke paraqitur në të njëjtën kohë bilancin kontabël, së bashku me anekset e tij, si dhe çdo të dhënë tjetër.
Çfarë janë këstet paraprake të tatimit mbi fitimin?
Llogaritja e kësteve mujore të paradhënieve
A. Kur tatimpaguesi e fillon veprimtarinë në vitin vijues, këstet mujore të paradhënieve të tatimit mbi fitimin llogariten duke u bazuar në deklaratën parashikuese për shumën e vlerësuar të tatimit mbi fitimin të bërë nga vetë tatimpaguesi, pjesëtuar me numrin e muajve të mbetur deri në fund të vitit, pa llogaritur këtu muajin e parë të regjistrimit. Kjo formulë llogaritjeje do të shërbejë edhe për përcaktimin e kësteve mujore të paradhënieve të tatimit mbi fitimin për 3-mujorin e parë të vitit pasardhës.
B. Në rastin kur tatimpaguesi, në çdo kohë, gjatë periudhës tatimore, vërteton para organeve tatimore se tatimi mbi fitimin për këtë periudhë tatimore do të jetë, në mënyrë domethënëse, më i ulët se tatimi mbi fitimin në periudhën paraardhëse ose periudhën e dytë paraardhëse, atëherë organet tatimore pranojnë zvogëlimin e parapagimeve, sipas rregullave të vendosura me udhëzim të Ministrit të Financave.
C. Nëse organet tatimore vlerësojnë se tatimi mbi fitimin për periudhën vijuese tatimore do të tejkalojë me më tepër se 10 për qind tatimin mbi fitimin e periudhës së mëparshme tatimore, ato mund të rregullojnë në rritje parapagimet, në përputhje me tatimin mbi fitimin e vlerësuar prej tyre.