Ku mund të ankohemi për veprime të Administratës Tatimore që i konsiderojmë të padrejta?
Ankimi bëhet vetëm në Drejtorinë e Apelimit Tatimor, e cila, që nga 1 Janari vitit 2017, është pjesë e strukturës së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Çfarë rregullash ka për të bërë një ankim?
- Duhet të kesh një dokument (të dërguar nga Adminstrata Tatimore) i cili prek interesat e tatimpaguesit (lexo më poshtë se ç’mund të jetë ky dokument).
- Të ankohesh brënda 1 muaji nga marrja në dijeni për aktin administrativ që të ka dërguar Administrata Tatimore.
- Brenda këtij muaji duhet të paguash ose të vendosësh garanci bankare për detyrimet që përmban njoftimi i vlerësimit së bashku me kamatëvonesat deri në datën e pagesës. Gjobat, as nuk parapaguhen e as vihet garanci.
Kujdes: Pa këto dokumenta, Drejtoria e Apelimit e refuzon ankimin.
Përse mund të ankohemi?
- Për çdo “Njoftim-vlerësimi për detyrimet tatimore” që ju ka dërguar Administrata Tatimore dhe ju me gjykoni të padrejtë.
- Çdo akt tjetër administrativ që ndikon detyrimin tatimor të tatimpaguesit, përfshirë edhe kërkesën për kompesim.
- Çdo akt që ndikon në kërkesën për rimbursim të tatimpaguesit.
- Çdo akt që ndikon në kërkesën e tatimpaguesit për lehtësim tatimor.
- Mund të ankimohen gabimet e bëra nga administrata në llogaritjen e përqindjes së kamatëvonesës.
- Vendosjen ose gabimet në llogaritjen e shumave dhe llojeve të ndryshme të gjobave.
- Ankimi mund të bëhet edhe kundër një mosveprimi, të Administratës Tatimore që ndikon në detyrimin tatimor të tatimpaguesit.
Kujdes: Nuk mund të ankimohen:
Masat administrative që kanë të bëjnë me masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore si urdhër bllokimi i llogarive bankare; njoftimi dhe kërkesa për të paguar; njoftimi për palë të treta dhe aktet administrative që lidhen me konfiskimin e mallrave.
Ç’dokumenta duhen dërguar në Drejtorinë e Apelimit për ankimin?
- Kërkesën me shkrim ku të përshkruajë pretendimet e tij. Në këtë kërkesë duhet të shënohen emri dhe adresa e tatimpaguesit; numri i regjistrimit të tatimpaguesit (NIPT-i) dhe në mbyllje të saj e nënshkruan.
- Aktin administrativ të nxjerrë nga Administrata Tatimore.
- Vërtetimin e pagesës së detyrimit dhe kamatëvonesave (urdhër-pagese i kaluar në bankë).
- Në mungesë të pagesës, garanci bankare ku të përfshihen detyrimet + kamatvonesat.
- Informacione në mbështetje të ankimit si raporte kontrolli, proces-verbale, akte-konstatimi etj.
- Çdo dokument tjetër që ankimuesi e çmon të rëndësishmë se ndihmon zgjidhjen e drejtë të çështjes.
Si dërgohet ankimi në Drejtorinë e Apelimit?
Ankimi mund të dorëzohet dorazi ose dërgohet me postë rekomande. Datë e marrjes së ankimimit nga Drejtoria e Apelimit Tatimor, konsiderohet data e protokollimit për ankimet e dorëzuara dorazi, dhe data e dorëzimit në postë kur ankimi bëhet nëpërmjet postës.
Kujdes! Tatimpaguesi, në dokumentet që dorëzon për ankim, duhet të vërtetojë datën e marrjes së aktit administrativ, objekt ankimi. Si provë, mund të shërbejë kopja e zarfit nëpërmjet të cilit është dërguar ankimi pranë tatimpaguesit, kopja e regjistrimit të dorëzimit të objekteve postare nga zyra postare etj.
A. Disa çështje që duhen mbajtur parasysh gjatë apelimit:
- Drejtoria e Apelimit gjatë shqyrtimit mund të kërkojë dokument shtesë dhe tatimpaguesi është i detyruar t’i përgjigjet kërkesës.
- Barra e provës për të vërtetuar të kundërtën e vlerësimit të Administratës Tatimore i takon tatimpaguesit.
- Në rast se tatimpaguesi e ka humbur afatin e ankimit, ai duhet të argumentojë dhe provojë me dokumentacionin e nevojshëm se humbja e afatit të ankimit nuk është për faj të tij.
- Pas rivendosjes në afat, ankimi duhet bërë mbas 15 ditësh e jo pas 1 muaji sikurse ishte pa e humbur këtë afat.
- Në rast se tatimpaguesi ka dëshirë të dëgjohet edhe me gojë, ai mund ta kërkojë këtë në ankimin e vet.
B. Ku mund ta lexojmë më hollësisht bazën ligjore të ankimit?
- Ligji 9920 datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” nga neni 106 deri tek neni 110.
- Udhëzimi i Ministrit të Financave nr. 24 datë 02.09.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” nga paragrafi 106 deri tek paragrafi 110.