OJF & Ente Publike > Deklarimi dhe pagesa > Vështirësitë financiare

Vështirësitë financiare të tatimpaguesve OJF dhe Ente Publike

Administrata Tatimore do të shqyrtojë rastet e tatimpaguesve veç e veç, duke analizuar dhe përfshirë çdo faktor ndikues, historikun e tatimpaguesit OJF dhe Ente Publike, si dhe më në detaj për çdo lloj tatimi të papaguar.

Kur një rrethanë financiare pengon subjektin për të paguar në afat detyrimet tatimore, ai mund të lejohet të lidhë në çdo kohë marrëveshje pagese me këste. Në të njëjtën kohë tatimpaguesi duhet të vërtetojë që është në kushtet e pamundësisë financiare për të paguar të plotë detyrimin tatimor si dhe të tregojë që pavarësisht nga rrethanat financiare, ai është në gjendje të përmbushë marrëveshjen.

Administrata tatimore nuk mund të lidhë një marrëveshje të pagesës me këste nëse ka filluar procedura e shitjes në ankand të pasurive të konfiskuara për efekt të atij detyrimi tatimor të pashlyer.

  1. Kërkesa bëhet me shkrim dhe i drejtohet drejtorit të drejtorisë rajonale apo drejtuesit të njësisë së ngjashme me të në drejtorinë rajonale ku është i regjistruar tatimpaguesi.
  2. Kërkesa duhet të bëhet brenda 15 ditëve nga data kur njoftimi i vlerësimit konsiderohet të jetë marrë. Marrëveshja e pagesës me këste bëhet me shkrim, brenda 10 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës dhe nënshkruhet nga tatimpaguesi dhe drejtori i drejtorisë rajonale apo drejtuesi i njësisë së ngjashme me të.
  3. Për të nënshkruar një marrëveshje të pagesës me këste tatimpaguesi detyrohet të paguajë menjëherë të paktën njëzet % të vlerës së detyrimit për të cilin lidhet marrëveshja.

Marrëveshja e pagesës me këste lidhet për një periudhë që fillon nga data e firmosjes deri në fundin e vitit të ardhshëm kalendarik pas momentit të hartimit të marrëveshjes.

  • Me nënshkrimin e një marrëveshjeje për pagesë me këste të një detyrimi tatimor, vazhdon të paguhet kamatëvonesë për detyrimin tatimor, por nuk llogaritet gjobë për pagesë të vonuar.

Pasi personi i tatueshëm paraqet dokumentin e kësaj garancie, drejtori i drejtorisë rajonale tatimore mund të pranojë të nënshkruajë marrëveshjen e pagesës me këste të detyrimeve tatimore të papaguara.

  • Garancia duhet të jepet nga njëra prej bankave, klient i së cilës është personi i tatueshëm që kërkon pagesën me këste. Në këtë rast, banka që lëshon garancinë, bëhet garant për detyrimin e personit të tatueshëm.

Drejtori i drejtorisë rajonale tatimore, kur kërkesa e personit të tatueshëm është e paargumentuar dhe e pajustifikuar nga rrethanat, mund ta refuzojë kërkesën për marrëveshje pagese me këste ose mund të kërkojë garanci bankare para se të hyjë në një marrëveshje të tillë.

  • Marrëveshja e pagesës me këste mund të zgjidhet nga Administrata Tatimore në momentin më të parë që personi i tatueshëm nuk e respekton atë lidhur me rregullshmërinë e pagesave si dhe kur ai nuk paguan detyrimet e tjera tatimore, që lindin gjatë periudhës së mbuluar nga marrëveshja.
  • Në këtë rast, personi i tatueshëm është i detyruar të paguajë të gjitha detyrimet tatimore të papaguara që mbulohen nga kjo marrëveshje, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e marrjes së vendimit të zgjidhjes së marrëveshjes. Nëse këto detyrime nuk paguhen, Administrata Tatimore mbledh detyrimet në përputhje me dispozitat ligjore.