Informacion i përgjithshëm
- Organizatat jofitimprurëse (OJF) dhe Entet Publike/Ndërmarrjet Shtetërore, pavarësisht natyrës jofitimprurëse përgjithësisht të aktivitetit të tyre, kanë për detyrim mbajtjen e llogarive dhe raportimin e informacioneve të tyre sipas legjislacionit në fuqi.
- Këto informacione janë objekt i vetëdeklarimit,janë të rëndësishme sidomos kur rrjedhin nga një aktivitet fitimprurës i një organizate fitimprurëse.
Në këtë rast, Organizata jofitimprurëse, në cilësinë e tatimpaguesit, duhet të bëjë vetëdeklarim të të ardhurave, të shumës së detyrimit tatimor apo të kontributit, pa pritur vlerësimin, njoftimin ose kërkesën nga Administrata Tatimore dhe e paguan tatimin në llogarinë e organeve tatimore.
Informacioni i përfshirë në deklaratën vjetore të të ardhurave të tatueshme përmban të dhëna për efekt të llogaritjes së të ardhurave të tatueshme (pasqyrat financiare):
- Bilanci është një nga pasqyrat financiare që tregon pozicionin financiar (aktivet, pasivet dhe kapitalin) e një njësie ekonomike raportuese në një datë të caktuar.
- Pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve është një tjetër pasqyrë financiare që tregon performancën ekonomike (të ardhurat, shpenzimet dhe fitimin/humbjen) e një njësie ekonomike raportuese gjatë një periudhe kontabël.
- Pasqyra e fluksit monetar tregon fluksin e parave (arkëtimet dhe pagesat në para dhe ekuivalentet e saj) të një njësie ekonomike raportuese gjatë një periudhe kontabël.
Kërkesa për informacion është e gjerë dhe përmban çdo informacion të mundshëm dhe të nevojshëm për të bërë një vlerësim tatimor të tatimpaguesit, çka do të shërbejë në llogaritjen e të ardhurave të tatueshme për qëllime tatimore.
Rëndësia mbi korrektësinë e raportimit
Për shkak të rolit shumë të rëndësishëm që informacioni i raportuar ka për tatimpaguesin, por që sjell efekte edhe për palët e treta, është e rëndësishme që të gjitha informatat vjetore të raportohen saktë dhe në kohë.
Kujdes! Edhe nëse OJF-të dhe Entet Publike, në parim përjashtohen nga tatimi mbi fitimin, sipas Ligjit Nr. 8438, Datë 28.12.1998 “Për Tatimin mbi të Ardhurat” – i ndryshuar, neni 18, parashikohet:
- Detyrimi i tyre që të dorëzojnë në organet tatimore deklaratën tatimore dhe bilancin vjetor, në të njëjtat modalitete si tatimpaguesit, që i nënshtrohen Tatimit mbi Fitimin.
- Afati i fundit i dorëzimit të deklaratës së Tatimit mbi Fitimin është data 31 Mars e vitit pasardhës, bashkë me pasqyrat financiare që përbëjnë bilancin.