Fiskalizimi > Pyetje-përgjigje mbi Fiskalizimin >

Pyetje-përgjigje mbi Fiskalizimin

Në këtë rubrikë do të gjeni Pyetje- Përgjigjet më të shpeshta dhe sipas specifikave të natyrës teknike, ligjore, grupeve të interesit, etj, të cilat do të përditësohen, në faza të ndryshme të zbatimit të projektit të Fiskalizimit.

 

PYETJET MË TË SHPESHTA MBI FISKALIZIMIN

 

Pyetje 1. A kanë entet publike detyrim ligjor që të lëshojnë fatura të fiskalizuara apo janë të përjashtuara?

Referuar Ligjit nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, entet publike qendrore/vendore kanë detyrimin ligjor për të lëshuar fatura të fiskalizuara vetëm për rastet kur aktiviteti që ata kryejnë veprimtari me karakter përfitimi ekonomik.

Pyetje 2. A janë të detyruar organizatat jofitimprurëse të lëshojnë fatura të fiskalizuara për pagesa të marra nga tarifat e anëtarësisë, nga anëtarët e saj apo dhurimet?

Për tarifat e anëtarësimit dhe dhurimet, një organizatë jofitimprurëse nuk është e detyruar të lëshojë fatura dhe të kryejë procedurën e fiskalizimit, sepse referuar Nenit 3 të Ligjit Nr. 92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” i ndryshuar, organizat jofitimprurëse nuk vlerësohen si persona të tatueshëm, për pagesa të marra nga tarifat e anëtarësisë, nësa ka, fonde, grante, donacione për qëllime të veprimtarive jofitimprurëse të organizatës, përveç rasteve kur organizata pranon pagesa si rezultat i veprimtarisë ekonomike.

Për pagesa nga biletat e shitura, organizata jofitimprurëse është e detyruar të lëshojë fatura dhe të kryejë procedurat e fiskalizimit, megjithatë mbi këtë bazë sërish nuk ka detyrim të tarifojn TVSH-në, në rast se janë plotësuar kushtet e Nenit 51 të ligjit të TVSH-së.

Pyetje 3. Pagesat që kryhen për një faturë me status “Pjesërisht e Paguar”, do të pranohen për procesim nga Banka edhe pse çdo pagesë mund të ketë të njëjtën NIVF të gjeneruar?

Faturat me status “pjesërisht e paguar” do të pranohen nga banka, pasi për të njëjtën faturë elektronike, blerësit i lind e drejta e likujdimit të pjesshëm të faturës, deri në likujdimin e plotë të saj.

Pyetje 4. Si do të veprohet në rastet e dublikimit të faturave elektronike nga Platforma SelfCare?

Në raste të tilla tatimpaguesi (shitësi), duhet të kryejë anullimin e faturuës/ve të dublikuara, duke lëshuar për secilën faturë të dublikuar një faturë korrigjuese. Procesi i korrigjimit të faturave realizohet duke vendosur si referencë NSLF e faturës (që do të korrigjohet) si dhe elementët e tjerë të faturës (datën dhe orën) e lëshimit.

Pyetje 5. Si do të veprohet në rastet kur subjekti blerës ka paguar pjesërisht faturën në bankë dhe më pas e ka refuzuar atë?

Nëse blerësi që ka kryen pagesën e plotë apo të pjesshme të faturës, refuzon faturën, atëherë kjo faturë çmohet automatikisht e pranuar dhe regjistrohet në librin e blerjes së blerësit pavarësisht refuzimit paraprak, sipas Nenit 11 shtuar me Udhëzimin Nr. 5, datë 23.02.2021, për disa shtesa dhe një ndryshim në Udhëzimin Nr. 16, datë 3.4.2020, “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”.

Pyetje 6. Lidhur me Vetëfaturimet, në rastet e shërbimeve nga tatimpaguesit jashtë Shqipërisë, çfarë fature duhet të lëshojë subjekti?

Në rastet e marrjes së shërbimeve nga jashtë nga një tatimpagues jorezident, fatura do të lëshohet nga subjekti blerës, vetëfaturim, dhe përzgjedhja e llojit të faturimit do të jetë “Blerje e shërbimeve nga jashtë (Abroad)”, duke vendosur tek shitësi të dhënat e tatimpaguesit jorezident në mënyrë që të bëhet pasqyrimi i saktë i faturës në libra.

Gjithashtu në varësi të detyrimit për të paguar TVSH-në do të përzgjidhet ose jo autongarkesa e TVSH-së (Reverse Charge).

Pyetje 7. Lidhur me pasqyrimin e saktë të furnizimeve të perjashtuara nga TVSH, shfaqja e tyre duhet të jetë tek shitje të përjashtuara apo furnizime me 0% TVSH?

Gjatë procesit të lëshimit të faturave, tatimpaguesi në cilësinë e shitësit duhet të përzgjedhë tipin e përjashtimit referuar Neneve 51, 53 dhe 54 të Ligjit 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” i ndryshuar. Nëse do të përzgjidhet saktë tipi i përjashtimit, atëherë pasqyrimi i faturës së shitjes do të bëhet te rubrika e “Shitje të përjashtuara”. Në rast se shitësi zgjedh shkallën tatimorë 0%, atëherë fatura e shitjes do të shfaqet tek “Furnizimet” me 0% TVSH.

Pyetje 8. Lidhur me korrigjimin e faturave të lëshuara përpara fiskalizimit, si do të kryhet procesi i fiskalizimit të këtyre faturave?

Lidhur me korrigjimin/saktësimin e faturave të lëshuara përpara procesit të fiskalizimit, tashmë ky zhvillim është funksional dhe ka kaluar në ambientin Live. Të gjithë timpaguesit mund të vijojnë me korrigjimin e faturave, pasi të jetë përmbushur kushti kryesor i deklarimit të faturave paraprakisht në e-filing (librat e blerjes/shitjes). Korrigjimi i këtyre faturave do të realizohet, duke vendosur si referencë të dhënat e mëposhtme: NIPT-i i tatimpaguesit, nr. serial i faturës dhe data e faturës që do të korrigjohet në sistemin e fiskalizimit.

Pyetje 9. Si do të jetë procedura për fiskalizimin e faturave nga tatimpaguesit të cilët kryejnë furnizime të shërbimeve të natyrës hoteleri/turizëm, (bar, restorant apo ambjente ku konsumohen pije dhe ushqime etj?

Në zbatim të pikës 3, të Nenit 8 të Udhëzimit Nr. 16, datë 03.04.2020 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, këta tatimpagues në varësi të shërbimit të ofruar, mund të përdorin “faturat tatimore Porosi” dhe “faturat tatimore Përmbledhëse”. Lëshimi dhe fiskalizimi i faturës së porosisë bëhet në të njëjtin moment me furnizimin e porosisë për klientin. Kjo faturë mund edhe të mos printohet por detyrimisht duhet të lëshohet dhe fiskalizohet. Nëse klientët nga e njëjta tavolinë kryejnë porosi të tjera, atëherë me dorëzimin e çdo porosie lëshohet dhe fiskalizohet edhe fatura pasuese e porosisë.

Në momentin e largimit të klientit, moment në të cilin kryhet edhe pagesa, tatimpaguesi duhet t’i lëshojë klientit një faturë përmbledhëse dhe ta fiskalizojë atë. Fatura përmbledhëse duhet të përmbajë si referencë dhe të përfshira në të, të gjitha faturat e veçanta të lëshuara dhe të fiskalizuara (pra NSLF-të e secilës faturë të veçantë). Vetëm Fatura përmbledhëse e fiskalizuar, do të regjistrohet në librin e shitjeve të tatimpaguesit dhe do të merret në konsideratë për qëllim të llogaritjes së TVSH-së në shitje.

Pyetje 10. Si do të veprohet në rastin e faturave të lëshuara për klientë të ndryshëm të cilat shfaqen në rubrikën “Transaksionet e blerjeve” por nuk shfaqen në “Pasqyrën mujore – Artikulli i librit të blerjes”?

Gjatë lëshimit të faturave të fiskalizuara, duhet të bëhet kujdes në përzgjedhjen e tipit të klientit. Pra, nëse klienti është një tatimpagues i regjistruar me NIPT, atëherë tipi i klientit duhet të përzgjidhet si NUIS dhe jo ID, pasi përzgjedhja e gabuar me ID, edhe pse klienti është subjekt i regjistruar, bën që faturat e fiskalizuara mos t'i shfaqen në “Pasqyrën mujore – Artikulli i librit të blerjes”.

Pyetje 11. Për furnizimeve nga subjektet utilitare, të cilat i referohen një marrëveshje paraprake midis palëve, këto fatura do të çmohen automatikisht të pranuara nga blerësi? Çfarë fature do të lëshohet në raste të tilla që të realizohet saktë shfaqja e tyre në librat e blerjes të blerësit?

Faturat utilitare do të çmohen të fiskalizuara dhe pranuara automatikisht, pavarësisht statusit të blerësit, sipas pikës 11 të Nenit 20 të Udhëzimit nr.16, datë 03.04.2022 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” i ndryshuar me Udhëzimin Nr. 27 datë 31.12.2021. Duke qenë se këto fatura do të konsiderohen të pranuara automatikisht, faturat utilitare duhet të lëshohen si fatura të thjeshta, dhe jo elektronike (e-invoice).

Me qëllim regjistrimin e faturave si më sipër në librat e blerjes, të gjithë tatimpaguesit blerës duhet të sigurohen për të përditësuar/saktësuar të dhënat e tyre në kontratën mbi të cilën bazohet furnizimi.

Pyetje 12. Subjektet që ofrojnë shërbime “transporti” kanë detyrimin ligjor që të lëshojë fatura të fiskalizuara dhe duhet detyrimisht të pajisen më cerifikatë elektronike?

Në zbtim të ligjit dhe Udhëzimit Nr. 16, datë 03.04.2022 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” i ndryshuar me Udhëzimin Nr. 27 datë 31.12.2021, në Nenin 5/b është parashikuar se përjashtohen nga detyrimi për të lëshuar fatura tatimpaguesit që ofrojnë shërbimin taksi të pajisur me taksimetër dhe ata që shesin bileta ose abone për transport pasagjerësh në sektorin e transportit publik urban brenda qytetit (autobusë), rrjedhimisht këtyre subjekteve nuk ju lind detyrimi për të lëshuar faturë kundrejt klientit fundorë “pasagjerit direkt”.

Këta tatimpagues duhet të njoftojnë administratën tatimore për shumën totale të biletave (të parashtypura/fatura nga taksimetri) të shitura gjatë çdo dite për të cilat nuk është lëshuar dhe fiskalizuar faturë individuale, në formën e faturës përmbledhëse të fiskalizuar, jo më vonë dhe para fundit të ditës tjetër, për llogaritjen e TVSH-së dhe detyrimeve të tjera tatimore, si dhe përmbushjen e detyrimeve të tjera sipas Ligjit

Lidhur me detyrimin për tu pajisur me certifikatë elektronike për subjektet që ofrojnë shërbime të kësaj natyre, ligji nuk i përjashton këto subjekte nga përmbushja e detyrimit për tu pajisur me certifikatë elektonike.

Pyetje 13. Faturat periodike që lëshohen brenda datës 10 të muajit pasardhës, të cilat duhet të paraqiten në SelfCare në muajin kur është kryer shërbimi, në librat e shitjes apo blerjes në pasqyrën mujore nuk paraqiten në periudhën kur është kryer shërbimi, por në muajin e lëshimit të faturës.

Me qëllim pasqyrimin e saktë të faturave periodike në libra, faturat të cilat lëshohen deri në ditën e dhjetë të muajit pasardhës të kryerjes së shërbimit, përveç përcaktimit të afatit kohor, lëshuesi i faturës duhet të vendosë edhe datën në të cilën TVSH-ja bëhet efektive, duke zgjedhur periudha e fundit e faturimit.

Pyetje 14. Me përfundimin e afatit nje vjeçar të përdorimit të certifikatës elektronike duhet të behet rinovimi i saj nga tatimpaguesi?

Po, me përfundimin e afatit të vlefshmërisë së certifikatës elektronike, të paktën 30 ditë përpara tatimpaguesi duhet të nisë aplikimet për të kryer rinovimin certifikatës elektronike. Aplikimi për rinovimin e saj ёshtё i njёjtё me aplikimin për herë të parë, nëpërmjetë portalit e-Albania në linkun i cili ju udhëzon për hapat, që duhen ndjekur, për aplikim të suksesshëm.

https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=13691

Pyetje 15. Faturat me kreditim të pjesshëm të TVSH-së, të cilat në platformën SelfCare shfaqen me TVSH 100% të kreditueshme, që të realizohet saktë shfaqja e tyre, çfarë veprimesh duhet të kryhen nga tatimpaguesi?

Tek “Pasqyra mujore”, nënmenuja “Artikulli i librit të blerjes”, pasi zgjidhet fatura e cila ka kreditim të pjesshëm të TVSH-së, blerësi deklarues duhet të bëjë rishpërndarjen e shumës duke e llogaritur vetë vlerën e kreditimit të pjesshëm. Shpërndarja e vlerave sipas kutive do të ndiqet edhe në rastet kur blerësi ka blerje të investimeve nga furnitorë vendas apo nga importi.

Pyetje 16. A kanë Bankat detyrimin ligjor që të raportojnë në Administratën Tatimore në fund të çdo dite faturat e thjeshta pa para në dorë?

Në zbatim të legjislacionit në fuqi, nga ana e institucioneve financiare bankare, detyrimi për raportim te pagesave të faturave të fiskalizuara është vetëm për faturën elektonike (E-invoice). Pagesat e faturave të thjeshta pa para në dorë (noncash) mund të kryhen nëpërmjet bankave, por bankat nuk kanë detyrimin që, në fund të çdo dite, të kryejnë raportim për këto lloj faturash.

Pyetje 17. A mundet që një subjekt (Person Fizik) të lëshojë një faturë shitje për veprime që rrjedhin nga procesi i mbylljes së aktivitetit?

Tatimpaguesit, të cilët sipas ligjit për procedurat tatimore, janë në regjistrin pasiv të Administratës Tatimore, nuk duhet të lëshojnë ose marrin fatura për qëllime biznesi, përveçse kur ata ndryshojnë statusin e tyre. E njëjta gjë vlen edhe nëse tatimpaguesit kanë aplikuar për çregjistrimin e aktivitetit të biznesit dhe kanë çregjistruar aktivitetin e tyre të biznesit, sipas Nenit 23/2.5 të Udhëzimit Nr. 16, datë 03.04.2022 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” i ndryshuar.

Pyetje 18. Në rastin e ndërprerjes së sistemit të fiskalizimit, gjatë një intervali kohor si do të veprojnë tatimpaguesit për lëshimin e faturave? A duhet të ndërpritet procesi i lëshimit të faturave?

Në zbatim të Ligjit 87/2019 “Për sistemin e monitorimit të qarkullimit” i ndryshuar dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, procesi i lëshimit të faturave të klientit në rastin e transaksioneve me para në dorë nuk duhet të pengohet nga një gabim i sistemit ose teknik. Sidoqoftë, tatimpaguesi që lëshon fatura është i detyruar të përsërisë procesin e përmendur sipas pikës 1 të këtij neni dhe të dërgojë mesazhin më pas, jo më vonë se 48 orë, nga momenti i lëshimit të faturës pa NIVF.

Nëse është e pamundur që lidhja të bëhet brenda 48 orëve, pasi të ketë informuar Administratën Tatimore, tatimpaguesi mund të vazhdojë të lëshojë fatura pa NIVF dhe pa procedurë fiskalizimi, deri sa të rivendoset lidhja. Pas rifillimit të funksionimit, ai fiskalizon të gjitha faturat e lëshuara në modalitetin off-line (jashtë linje). Nëse ndërprerja në lidhjen në internet është hasur gjatë muajit dhe rilidhja nuk është bërë deri në ditën e 10-të të muajit vijues, atëherë tatimpaguesi duhet të paraqesë të gjitha faturat e pafiskalizuara në Administratën Tatimore Qendrore sipas nenit 32/4 të Udhëzimit.

Në rast të mosfunksionimit të plotë të pajisjeve fiskale të përdorura për lëshimin e faturave, tatimpaguesit që janë të detyruar të lëshojnë fatura në përputhje me nenin 4 të Ligjit, kanë detyrimin të lëshojnë fatura nga blloku i veçantë i faturave, në përputhje me nenin 30 të Ligjit.

 

Pyetjet – përgjigjet më të shpeshta

  1. Çfarë është fiskalizimi?

    Fiskalizimi është një tërësi masash që përdoren për të zvogëluar evazionin fiskal në transaksionet me dhe pa para në dorë. Në procesin e fiskalizimit, të gjitha transaksionet (faturat) raportohen në kohë reale në Administratën Tatimore. Për efekt të identifikimit dhe gjurmimit të çdo transaksioni, çdo fature i jepet numri identifikues i veçantë i faturës (NIVF).

  2. Kush do të jetë subjekt i fiskalizimit?

    Në zbatim të Ligjit Nr. 87/2019, datë 18.12.2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 3, datë 20.01.2020, subjekt i fiskalizimit të faturës do të jenë:

    1. të gjithë tatimpaguesit që lëshojnë faturë, sipas këtij Ligji dhe legjislacionit në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar;
    2. organet publike;
    3. bankat, institucionet financiare jobankare dhe subjekte të tjera, që ofrojnë shërbime pagesash të faturave elektronike.
  3. Si do të dërgohen në Administratën Tatimore të dhënat e pajisjes fiskale për transaksionet me para në dorë?

    Mënyra e dërgimit dhe proceset që kryhen për dërgimin e të dhënave në Administratën Tatimore dhe lëshimin e faturës janë si më poshtë:

    - Tatimpaguesi nëpërmjet zgjidhjes softuerike dërgon mesazh në serverin e Administratës Tatimore, me të dhëna në formatin XML, në lidhje me transaksionin (faturën e lëshuar).
    - Serveri i Administratës Tatimore i dërgon tatimpaguesit konfirmimin e marrjes së faturës duke i dhënë kësaj fature kodin unik (NIVF – Numri Unik Identifikues i Faturës).
    - Tatimpaguesi i lëshon klientit faturën e printuar (e cila përfshin NIVF-në).

    Regjistrimi dhe dërgimi i faturës pranë Administratës Tatimore mund të verifikohet duke skanuar kodin QR në faturë. Konsumatori mund të verifikojë faturën e tij/saj, po ashtu edhe tatimpaguesi mund të verifikojë blerjet e regjistruara në emrin e tij.

  4. Cili është qëllimi i përdorimit të NIVF?
    NIVF është një numër unik për çdo faturë, i cili përcakton lidhjen midis faturës dhe lëshuesit të faturës. NIVF shërben si e dhëna kryesore e faturës për qëllim të regjistrimit dhe identifikimit të saj në librat e blerjes dhe shitjes. Sistemi i Informacionit të Administratës Tatimore gjeneron numrin identifikues të veçantë të faturës (NIVF) pasi procesi i verifikimit të faturës të përfundojë me sukses dhe ia dërgon atë tatimpaguesit si konfirmim të informacionit të faturës të pranuar në mënyrë të rregullt.
  5. A do të duhet të bëhet mbyllje ditore për pajisjen fiskale për shitjet cash të realizuara?
    Për shitjet cash të realizuara nga pajisja fiskale, nuk do të jetë më e nevojshme që të bëhet mbyllje ditore, pasi faturat do të transmetohen në Administratën Tatimore në kohë reale.
  6. Çfarë ndodh nëse komunikimi/lidhja me Administratën Tatimore ndërpritet?
    Në rast të ndërprerjes së lidhjes së internetit, tatimpaguesi lëshon faturë si në një transaksion normal, me ndryshimin e vetëm që fatura nuk do të ketë kodin NIVF të gjeneruar nga Administrata Tatimore dhe për këtë fatura duhet të printohet në letër.
    Tatimpaguesi duhet që brenda 48 orëve pas momentit kur ndërpritet lidhja e internetit, të mundësojë lidhjen e internetit dhe të dërgojë të gjitha faturat e lëshuara gjatë transaksioneve offline. Për të gjitha faturat e lëshuara në mënyrë offline, Administrata Tatimore cakton një NIVF dhe ia kthen atë tatimpaguesit si konfirmim për pranimin e faturave të dorëzuara me vonesë.
    Nëse tatimpaguesi nuk mund të rivendosë një lidhje interneti, brenda afatit prej 48 orë, për të cilin është përgjegjës ofruesi i këtij shërbimi, ose për shkak të forcave madhore, tatimpaguesi duhet të informojë Administratën Tatimore dhe të sigurojë dokumente ose prova të tjera që demonstrojnë pamundësinë për të krijuar një lidhje interneti, sipas udhëzimeve të Ministrit të Financave.
  7. Cfarë duhet bërë në rastin e një keqfunksionimi të pajisjes fiskale për transaksionet me para në dorë?

    Nëse pajisja fiskale pëson një mosfunksionim të plotë, tatimpaguesi lëshon fatura nga blloku i veçantë i faturave.
    Blloku i veçantë i faturave shtypet nga autoritetet tatimore apo nga shoqëri private, të autorizuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve dhe shpërndahet nga autoritetet tatimore. Tatimpaguesi është i detyruar të mundësojë funksionimin e pajisjes fiskale brenda pesë ditëve nga dita kur pajisja fiskale ka pësuar një mosfunksionim të plotë, ose të sigurojë një pajisje të re.
    Të gjitha faturat e lëshuara nga blloku i veçantë i faturave, duhet të fiskalizohen brenda 5 ditëve. Kjo do të thotë që tatimpaguesi duhet të hedhë të gjitha të dhënat e faturës nga blloku i veçantë i faturave, në pajisjen elektronike të faturimit (për para në dorë) që ai përdor për lëshimin e faturave dhe të kryejë procedurën e fiskalizimit.

    Faturat nga blloku i veçantë i faturave do të vazhdojnë numrin rendor që fillon pas numrit të faturës së fundit të lëshuar nga pajisja elektronike. Kur tatimpaguesi rifillon të lëshojë fatura nga pajisja elektronike, ai duhet të vazhdojë numërimin rendor që fillon pas numrit të faturës së fundit të lëshuar nga blloku i veçantë i faturave gjatë periudhës së mosfunksionimit të pajisjes.

  8. Si mund të verifikohen nëse janë të fiskalizuara faturat fiskale të lëshura?

    Të gjithë blerësit ose marrësit e faturave mund të verifikojnë nëse fatura e tyre është fiskalizuar dhe dërguar në Administratën Tatimore, brenda 60 ditëve nga data e faturës. Verifikimi kryhet përmes platformës qendrore të faturës ose përmes një aplikacioni të veçantë duke skanuar kodin QR në faturë. Gjithashtu, mund të verifikohet edhe në zyrën e Administratës Tatimore.
    Nëse blerësi është një person i tatueshëm, ai mund të verifikojë nga platforma qendrore e faturës nëse fatura është fiskalizuar, pasi fatura duhet të jetë regjistruar në librin e tij të blerjes.
    Nëse fatura nuk përmban NIVF në momentin e lëshimit, atëherë do të thotë që ajo nuk është fiskalizuar para lëshimit.

  9. A mundem të përdor të njëjtën certifikatë për të giitha pajisjet fiskale të biznesit?
    Certifikata dighitale është e lidhur në mënyrë unike me biznesin si entitet. Pra, e njëjta certifikatë dighitale mund të përdoret për të gjitha pajisjset fiskale të biznesit.

  10. Cili është AKSHI?
    Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është institucioni përgjegjës për administrimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve shtetërore të teknologjisë dhe informacionit.

    Objekti i veprimtarisë së AKSHI-t:
    - Zbatimin e politikave e të strategjive, për zhvillimin e sektorit të shoqërisë së informacionit (më poshtë SHI) dhe në veçanti të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (më poshtë TIK);
    - Bashkërendimin e programeve në fushën e SHI-së dhe në veçanti të TIK-ut;
    - Nxitjen e investimeve në fushën e SHI-së;
    - Hartimin e praktikave për ushtrimin e kompetencave që i jepen ministrit nga legjislacioni në fushën e komunikimeve elektronike;
    - Promovimin e teknologjive të reja në fushën e SHI-së;
    - Dhënien e kontributit në edukimin dhe nxitjen e përdorimit të TIK-ut nga publiku.
    AKSHI është institucioni përgjegjës, i cili do të lëshojë certifikatën elektronike për tatimpaguesit.

  11. Ku mund të drejtohem për pyetje dhe sqarime rreth fiskalizimit?
    Për pyetje dhe paqartësi në lidhje me procesin e fiskalizimit, mund të shkruani në adresën Fiskalizimi.Helpdesk@tatime.gov.al.

 

Pyetje - Përgjigjet teknike 

 

  1. A nevojitet një printer specifik?
    Jo, nuk kërkohet një lloj specifik harduerësh. Çdo printer që mund të printojë përmbajtjen e detyrueshme të faturës (siç përcaktohet me ligj) është i mjaftueshëm. Është e rëndësishme që printeri të mund të printojë kodin QR në faturë.


  2. A mund të ndryshohet fatura pasi është printuar?
    Fatura nuk mund të ndryshohet pas printimit, sipas legjislacionit në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe ligjit të fiskalizimit. Për qëllim të saktësimeve të faturës pas lëshimit të saj, duhet të lëshohet fatura korrigjuese. 

  3. A është i detyrueshëm printimi i faturës?
    Për të gjitha transaksionet me para në dorë, printimi i një fature është i detyrueshëm, përveç shërbimeve elektronike, ose kur furnizimi i mallrave apo shërbimeve është kontraktuar dhe ngarkuar përmes një aplikacioni celular, dyqan në internet, ose të ngjashme. Në këto raste fatura nuk ka pse të printohet në letër, por mund t'i dërgohet blerësit ose marrësit të faturës, me postë elektronike ose si faturë elektronike.

  4. A nevojitet të ruhen të gjitha faturat në bazën e të dhënave?
    Përveç dërgimit në Administratën Tatimore, të gjitha faturat duhet të mbahen nga tatimpaguesi në format dixhital, sipas legjislacionit tatimor në fuqi. 

  5. A është cloud opsion për ruajtjen e faturave?
    Faturat mund të ruhen edhe në cloud.

  6. Cili është afati për ngarkimin e faturave nëse nuk ka internet, apo paisja fiskale ka pësuar defekt?
    - 48 orë nëse lidhja në internet paraqet probleme.
    - Në rast të mosfunksionimit të pajisjes fiskale, tatimpaguesi që lëshon fatura është i detyruar brenda pesë ditëve nga dita kur pajisja fiskale ka pësuar defekt, ta riparojë atë, ose ta  zevendësojë me një pajisje të re.

  7. Si do të kryhet aplikimi për çertifikim? Cilat janë hapat që do të ndiqen?
    Të gjitha aplikimet që do t'u ofrohen tatimpaguesve në tregun shqiptar duhet të kalojnë procesin e çertifikimit të kryer nga AKSHI. Udhëzimet për këtë proces të çertifikimit (cilat hapa dhe si do të kryhet çertifikimi) do të publikohen në faqen ueb të projektit të Fiskalizimit.

  8. Si kryhet procedura e anulimit të një fature? Aktualisht shuma negative në anulim nuk është e mundur në ligj.
    Teorikisht nuk ekziston  "anulimi i një fature", por duhet të lëshohet një faturë korrigjuese (ose faturë e kthimit). Fatura korrigjuese përmban numër reference të faturës origjinale që korrigjohet,  për të cilën  sistemi  gjeneron një mesazh të veçantë dhe i dërgohet Administratës Tatimore për fiskalizim. Kjo faturë korrigjuese përmban vlera negative, nëse të gjithë artikujt duhet të anulohen.

  9. Faturat nga telekomi gjenerohen dhe printohen pa ditur se do të paguhen me para në dorë, përmes transferit bankar etj ... si zgjidhet kjo në Kroaci dhe vende të tjera?
    Kjo lloj fature që ka një urdhër pagese dhe që mund të paguhet nëpërmjet e-banking , në bankë ose mënyra të ngjashme, trajtohet si transaksion pa para në dorë  dhe mbi "mënyrën e pagesës" duhet të shkruhet "urdhër- pagese". 

  10. Si do të kryhet fiskalizimi për shitjet në internet dhe dyqanet në internet?
    Për të gjitha transaksionet me para në dorë printimi i një fature është i detyrueshëm, përveç shërbimeve elektronike, ose kur furnizimi i mallrave ose shërbimeve është kontraktuar dhe ngarkuar me detyrim për t’u paguar përmes një aplikacioni celular, dyqan në internet, ose të ngjashme. Në këto raste fatura nuk ka pse të printohet në letër , por mund t'i dërgohet blerësit ose marrësit të faturës, me postë elektronike ose si faturë elektronike.

 

Pyetjet Përgjigje - Transferimi Automatik i Librave të Shitjes dhe të Blerjes

Pyetje: Kam mbyllur (dorëzuar) librat e shitjes dhe të blerjes në formatin Excel manualisht nga sistemi E-filing. Tani që duhet të dorëzohen nga portali Self-Care, çfarë duhet të bëj? T’i deklaroj përsëri në Fiskalizim? 

Përgjigje: Në sistemin e deklarimit elektronik e-Filing, do të shfaqen dy versione të deklarimit të librave, një version për dorëzimin manual sipas formatit Excel dhe një version të dorëzimit automatik nga portali SelfCare. Ju duhet të verifikoni nëse këto versione nuk kanë ndryshime, dhe nëse ka, duhet të kryeni saktësimet përkatëse dhe të ringarkoni librat në formatin Excel në e-Filing. 

  

Pyetje: Kam mbyllur librat në SelfCare. Kur shfaqen në e-Filing? 

Përgjigje: Librat shfaqen ditën e nesërme të ditës së mbylljes (dorëzimit) të tyre. 

  

Pyetje: Çfarë ndodh nëse unë nuk i mbyll (dorëzoj) librat në SelfCare? 

Përgjigje: Në datën 11, librat do të mbyllen (dorëzohen) automatikisht nga sistemi i Fiskalizimit. Më pas ju keni mundësinë të verifikoni dhe korrigjoni librat, nëse do të jetë e nevojshme, në e-Filing. 

  

Pyetje: Nëse nuk kam fatura shitje ose blerje gjatë muajit, si veprohet me deklarimin e librave në SelfCare? 

Përgjigje: Librat mbyllen pa aktivitet automatikisht nga SelfCare, dhe më pas transferohen drejt e-Filing. 

  

Pyetje: Kam mbyllur librat e shitjes dhe blerjes në portalin qendror të faturave, bashkë me sistemimet përkatëse, përpara datës 10 të muajit pasardhës. Ndërkohë më vjen një faturë blerje nga subjekte utilitare (FSHU, Ujësjellës, internet etj.) pasi unë kam mbyllur librat. Si duhet të veproj në këtë rast për deklarimin e kësaj fature të padeklaruar? 

Përgjigje: Në SelfCare do të shfaqet fatura e lëshuar pasi është bërë mbyllja e librave. Ju duhet të kryeni ndryshimin e librit të blerjes në sistemin e-Filing, duke ringarkuar të përditësuar në formatin Excel. 

  

Pyetje: Gjatë muajit kam patur importe mallrash, për të cilat ka qenë e pamundur fiskalizimi i tyre. Tek libri i blerjeve nuk shfaqet deklarata e importit, si duhet ta deklaroj tani që librat deklarohen automatikisht nga SelfCare? Jo të gjitha importet mund të fiskalizohen ose të fiskalizohen në afat? 

Përgjigje: Ju duhet të kryeni procesin e mbylljes së librave në SelfCare, dhe më pas në llogarinë e tuaj në e-Filing keni mundësi të korigjoni manualisht librin e blerjes, duke përfshirë të dhënat e deklaratave të importit që nuk keni mundur t’i fiskalizoni dhe më pas e ringarkoni në formatin Excel. 

  

Pyetje: Disa fatura të fiskalizuara shfaqen të transaksionet, por jo të pasqyra mujore? 

Përgjigje: Problematika shfaqej pasi tatimpaguesit lëshonin fatura me gabime. Nga data 22 Shkurt 2023, kjo problematikë është zgjidhur, pasi kemi vendosur kufizime në sistem për të eleminuar lëshimin e faturave me këtë lloj gabimi. 

  

Pyetje: Nuk mund të saktësohen të gjitha librat më datë 10, pasi vetëm atëherë mund të shfaqen të gjitha faturat (përveç atyre të datës 10) pasi është ngarkesë e madhe, për zyrat e kontabilitetit? 

Përgjigje: Afati i deklarimit të librave nuk ka ndryshuar, është data 10 e muajit pasardhës, përcaktuar në Udhëzimin nr.6 datë 30.01.2015 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, i ndryshuar. Nëpërmjet këtij procesi, të gjithë tatimpaguesve subjekt i TVSH-së, përfshirë edhe zyrat e kontabilitetit, iu është thjeshtuar procesi i deklarimit manualisht të librave. Për saktësimin dhe verifikimin e mospërputhjeve të mundshme, është i vlefshëm afati nga data 11 deri në 14, i cili përkon edhe me deklarimin dhe pagesën e TVSH-së. Plotësimi i deklaratës së TVSH-së do të vijojë të kryhet manualisht nëpërmjet e-Filing. 

  

Pyetje: Jam një tatimpagues pa TVSH. Çfarë duhet të bëj për të deklaruar librat e shitjes dhe të blerjes? 

Përgjigje: Tatimpaguesit që nuk janë subjekt i TVSH-së, pra nuk janë të regjistruar për përgjegjësinë tatimore të TVSH-së, nuk kanë detyrimin e deklarimit të librave dhe dorëzimin e deklaratës së TVSH-së. Librat e këtyre tatimpaguesve nuk transferohen nga portali Selfcare drejt e-Filing.  

 

Dokumenta ndihmëse