Fiskalizimi > Njihuni me Ligjin dhe draft Aktet nënligjore >

Njihuni me Ligjin dhe draft Aktet Nënligjore

Në këtë faqe do të gjeni Ligjin Nr. 87/2019, datë 18.12.2019 "Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 3, datë 20.01.2020.

Zbatimi i tij, sipas fashave dhe llojit të transaksioneve, do të bëhet si më poshtë:

a)      Për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit subjekt të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatim fitimit me të ardhura vjetore mbi 8 milionë lekë, efektet e këtij Ligji fillojnë më 1 shtator 2020.

b)      Për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit subjekt të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatim të thjeshtuar mbi fitimin me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë, efektet e këtij Ligji fillojnë më 1 janar 2021.

c)       Për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit subjekt të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin me të ardhura vjetore deri në 2 milionë lekë, efektet e këtij Ligji fillojnë më 1 janar 2021.

d)      Për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike, efektet e këtij Ligji fillojnë më 1 janar 2021.

e)      Për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, efektet e këtij Ligji fillojnë më 1 korrik 2021.

Objekti i këtij Ligji është përcaktimi i parimeve, rregullave, kritereve, detyrimeve, afateve dhe procedurave që duhet të ndiqen nga tatimpaguesit dhe prodhuesit e mirëmbajtësit e zgjidhjeve software-ike, lidhur me lëshimin e faturës, faturën shoqëruese dhe faturën elektronike, përmbajtjen e faturave, regjistrimin e të dhënave dhe procedurën e fiskalizimit të lëshimit të faturave, marrjen e informacionit të pagesave, certifikimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të këtij Ligji. 

Dispozitat e këtij Ligji garantojnë vijimësinë e funksionimit të pajisjeve  fiskale përpara hyrjes në fuqi të këtij Ligji.

Ky Ligj synon reduktimin e informalitetit në ekonomi dhe evazionit fiskal, rritje të transparencës dhe verifikimin në kohë reale të transaksioneve.


Gjeni të publikuar gjithashtu edhe 3 draft Akte shumë të rëndësishme nënligjore për Fiskalizimin:

  • VKM mbi kërkesat teknike dhe funksionale të zgjidhjes softuerike për procedurën e faturimit dhe fiskalizimit si edhe procedurën e kriteret për regjistrimin e prodhuesve dhe mirëmbajtësve të programeve (softuer). 
  • Udhëzim “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”
  • VKM mbi kriteret e përdorimit të procedurës së thjeshtëzuar të fiskalizimit.

Këto Akte nënligjore do të finalizohen pasi të përfundojë konsultimi publik, në të cilin do të përfshihen grupet e interesit dhe opinioni në tërësi, me komentet dhe sygjerimet e tyre. 

Prej datës 02.12.2019 , këto draft Akte janë publikuar në hapësirën online dedikuar Konsultimit publik: https://www.konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Institucioni/4

Ditët në vijim do të dalin  për konsultim publik edhe VKM për sektorë të veçantë (Hidrokarbur) dhe Udhëzimi për Faturën Elektronike.

Administrata Tatimore mirëpret çdo sugjerim, pyetje, apo vlerësim nga ana juaj mbi këto drafte, në adresën e e-mail Fiskalizimi.Helpdesk@tatime.gov.al

Ju faleminderit!

Dokumenta ndihmëse