Sipërmarrës > Të veprosh si një biznes > Tatimi mbi të ardhurat

Tatimi mbi të ardhurat

Fusha e zbatimit
Tatimit mbi fitimin i nënshtrohen:

  • Personat juridikë dhe ortakëritë me të ardhura mbi 8 000 000 lekë në vit
  • Personat juridikë, si dhe ortakëritë e tjera të personave të themeluara ose të organizuara në bazë të një ligji të huaj dhe që ushtrojnë veprimtari në territorin e Republikës së Shqipërisë;
  • Çdo person tjetër, pavarësisht nga statusi ose forma ligjore e regjistrimit apo e njohjes së tij, , me përjashtim të rastit kur ky person është subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël.

Kujdes: Çdo person, pavarësisht nga statusi ose forma ligjore e regjistrimit apo e njohjes së tij, kur është a bëhet subjekt i tatimit mbi fitimin, ka të drejtë të kërkojë çregjistrimin në çdo kohë, por jo të kalojë si subjekt, që i nënshtrohet tatimit të thjeshtuar mbi fitimin mbi biznesin e vogël.

Detyrimi për të paguar tatimin mbi fitimin
Tatimpaguesit rezidentë i nënshtrohen tatimit mbi fitimet e realizuara nga të gjitha burimet:

  • brenda dhe
  • jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

 

Tatimpaguesit jorezidentë i nënshtrohen tatimit mbi fitimet e realizuara:

  • nga të gjitha të ardhurat, me burim në Republikën e Shqipërisë

 

Përjashtimi nga tatimi mbi fitimin

Përjashtohen nga tatimi mbi fitimin:

- Organet e qeverisjes qëndrore dhe vendore, Banka e Shqipërisë, shoqata humanitare, organizata ndërkombëtare, kur parashikohet nga marrëveshje të veçanta, sipërmarrje të parashikuara në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi, fondacionet ose institucionet financiare jo bankare të krijuara ose të transferuara me Vendim të Këshillit të Ministrave, shtëpitë filmike të prodhimit kinematografik, të subvencionuara nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Fondi i pensionit vullnetar i administruar.

Kujdes: Të gjitha subjektet e lartpërmendura, janë të detyruara të dorëzojnë në organet tatimore deklaratën tatimore dhe bilancin vjetor, në të njëjtat afate si subjektet, që i nënshtrohen tatimit mbi fitimin.

Strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”, Përjashtohen nga tatimi mbi fitimin,  për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.

Fitimi i tatueshëm

Fitimi i tatueshëm rezulton si diferencë e të ardhurave gjithsej të realizuara gjatë periudhës tatimore (viti kalendarik), me shpenzimet e njohura.

Fitimi i tatueshëm për periudhën tatimore përcaktohet në bazë të bilancit dhe të anekseve të tij, që duhet të jenë hartuar në përputhje me ligjin “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”.

Të ardhurat

Të ardhurat gjithsej nënkuptojnë çdo lloj të ardhure, të realizuar gjatë periudhës tatimore dhe përfshijnë, pa u kufizuar vetëm në to, të ardhurat e realizuara nga furnizimi i mallrave dhe shërbimeve, të ardhurat nga pjesëmarrjet, të ardhurat nga interesat, të ardhurat nga shfrytëzimi i pasurisë së luajtshme e të paluajtshme.


Shpenzimet
Shpenzimet e njohura (zbritshme)

Për të qenë të njohura (të zbritshme) shpenzimet duhet të përmbushin këto kushte:

  1. të jenë kryer në interes të drejtpërdrejtë të veprimtarisë ekonomike të sipërmarrjes;
  2. të jenë kryer efektivisht;
  3. të jenë pasqyruar nëpërmjet një veprimi kontabël duke pakësuar aktivet neto;
  4. të jenë të provuara me dokumentacionin përkatës justifikues ligjor.

Shpenzimet të panjohura (zbritshme)
Për efekt të përcaktimit të fitimit të tatueshëm, nuk njihen shpenzimet që ligji i tatimit mbi të ardhurat i ka përcaktuar në një listë shteruese. Për më shumë informacion referojuni Ligjit Nr. 8438 “Për tatimin mbi të ardhurat”, neni 21, të cilin mund ta gjeni më poshtë.

Shkalla tatimore


Shkalla e tatimit mbi fitimin është:

  1. a) 0% për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14 000 000 lekë në vit.
  2. b) 15% për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14 000 000 lekë në vit.

 

Shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 % per:

-Për personat juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet për prodhimin/zhvillimin e software-ve

-Për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas ligjit nr. 38/2012, “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”

-Për personat juridikë, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike në industrinë automotive

 

Për subjektet, të cilat zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”, sipas

legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 %. Kjo shkallë

aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për personat juridikë që përfitojnë statusin “subjekt I certifikuar agroturizmi”, deri më 31 dhjetor 2021. Aplikimi i shkallës së reduktuar fillon në vitin tatimor pasardhës, pas përfitimit të statusit “subjekt i certifikuar agroturizmi.

 

Pagesa e tatimit
Parapagimi - këstet paraprake të tatimit mbi fitimin
Tatimi mbi fitimin paguhet çdo tremujor ose çdo muaj në formë paradhënie gjatë vitit, bazuar në këste mujore.
Këstet mund të paguhen edhe në baza mujore, në shumat si më poshtë:

Rasti i përgjithshëm

  • për muajt janar – mars, të periudhës vijuese tatimore, shumën e tatimit mbi fitimin për periudhën tatimore të dy viteve më parë pjesëtuar me 12;
  • për muajt prill – dhjetor, të periudhës vijuese tatimore, shumën e tatimit mbi fitimin për periudhën paraardhëse tatimore pjesëtuar me 12.

Raste të veçantë
Në rastin kur tatimpaguesi e fillon veprimtarinë gjatë periudhës tatimore të vitit të dytë paraardhës, parapagimet janë:

  • për muajt janar – mars, të periudhës vijuese tatimore, sa shuma e tatimit mbi fitimin për periudhën tatimore të dy viteve më parë pjesëtuar me numrin e muajve, gjatë të cilëve tatimpaguesi ka ushtruar veprimtarinë tatimore.
  • për muajt prill – dhjetor, të periudhës vijuese tatimore, sa shuma e tatimit mbi fitimin për periudhën paraardhëse tatimore pjesëtuar me 12.

Në rastin kur tatimpaguesi e fillon veprimtarinë gjatë periudhës paraardhëse tatimore, parapagimet janë:

  • për muajt janar – mars, të periudhës vijuese tatimore, sa shuma e vlerësuar e tatimit mbi fitimin për periudhën e mëparshme, pjesëtuar me numrin e muajve të periudhës së mëparshme, gjatë të cilëve është ushtruar veprimtari.
  • për muajt prill – dhjetor, të periudhës vijuese tatimore, sa shuma e tatimit mbi fitimin për periudhën paraardhëse tatimore pjesëtuar me 12.

Në rastin kur një tatimpagues fillon të ushtrojë një veprimtari në periudhën vijuese tatimore, parapagimet janë:

  • sa shuma e vlerësuar e tatimit mbi fitimin për periudhën vijuese, pjesëtuar me numrin e muajve të mbetur nga periudha vijuese tatimore.

Përjashtim

  • Tatimpaguesit që fillojnë veprimtarinë në periudhën vijuese dhe ushtrojnë veprimtari në sferën prodhuese nuk do t’i nënshtrohen parapagimit të detyrimit për tatimin mbi fitimin për një periudhë 6 - mujore ose për periudhën e mbetur deri në fund të vitit vijues, nëse kjo periudhë është edhe më e vogël se 6 muaj.

Korrigjimi i kësteve paraprake
Në rastin kur tatimpaguesi, në çdo kohë, gjatë periudhës tatimore, vërteton se tatimi mbi fitimin për këtë periudhë tatimore do të jetë, më i ulët se tatimi mbi fitimin në periudhën paraardhëse ose periudhën e dytë paraardhëse, atëherë organet tatimore pranojnë zvogëlimin e parapagimeve.

Në rast se tatimpaguesi ka ulur këstet e parapagimit, të caktuara nga organi tatimor, dhe detyrimi tatimor vjetor për tatimfitimin, që rezulton nga bilanci, tejkalon parapagimin me më shumë se 10%, ai duhet të paguajë kamatëvonesa mbi diferencën ndërmjet detyrimit real vjetor dhe shumës së parapaguar gjatë vitit.

Nëse organet tatimore vlerësojnë se tatimi mbi fitimin për periudhën vijuese tatimore do të tejkalojë me më tepër se 10% tatimin mbi fitimin e periudhës së mëparshme tatimore, ato mund të rregullojnë në rritje parapagimet, në përputhje me tatimin mbi fitimin e vlerësuar prej tyre.

Deklarata dhe llogaritja përfundimtare e tatimit
Tatimpaguesi me mbylljen e vitit kalendarik, përgatit deklaratën vjetore të të ardhurave të tatueshme në formën e përcaktuar në udhëzimin e Ministrit të Financave, të cilën mund ta gjeni më poshtë.
Formulari i Deklaratës e Pagesës së Tatimit mbi Fitimin dorëzohet në organet tatimore brenda datës 31 Mars të vitit pasardhës, duke paraqitur në të njëjtën kohë bilancin kontabël, së bashku me anekset e tij.

Mund të paraqiten këto raste:

Nëse tatimi i deklaruar dhe i paguar në bazë të deklaratës vjetore është më i madh se:

  • shuma e kësteve mujore të paradhënieve të paguara gjatë vitit dhe
  • tatimi i huaj i paguar, (i cili kreditohet) tatimpaguesi paguan diferencën, brenda datës 31 Mars të vitit të ardhshëm.

 

Nëse tatimi i deklaruar dhe i paguar në bazë të deklaratës vjetore është më i vogël se:

  • shuma e kësteve mujore të paradhënieve të paguara gjatë vitit; dhe
  • tatimi i huaj i paguar, ( i cili kreditohet) administrata tatimore e kalon shumën e paguar më tepër për llogari të detyrimeve të tjera tatimore, të papaguara nga tatimpaguesi.

 

Nëse tatimpaguesi nuk ka detyrime të tjera tatimore të papaguara, me miratimin me shkrim të tij, shuma e mbetur, nëse ka:

  • rimbursohet automatikisht, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e deklarimit dhe e pagesës nga tatimpaguesi;
  • kalohet për llogari të detyrimeve tatimore të ardhshme të tatimpaguesit.

 

Destinimi i fitimit
Shoqëritë tregtare, sipas pagimit të tatimit mbi fitimin, brenda një afati prej 6 muajsh nga data e mbylljes së vitit financiar, duhet të miratojnë në asamblenë e ortakëve apo organin kompetent vendimmarrës të shoqërisë:

  • rezultatet financiare të vitit paraardhës dhe
  • të destinojnë fitimin pas tatimit,

duke përcaktuar:

  • shumën e rezervave ligjore
  • pjesën që do të përdoret për investime ose për shtesë kapitali dhe
  • pjesën që do të shpërndahet në formë dividendi.

Shoqëritë tregtare, duhet të depozitojnë pranë administratës tatimore, jo më vonë se data 31 korrik e vitit kalendarik, vendimin e organit përgjegjës, për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit.

Ky detyrim mbetet edhe nëse rezultati për vitin ushtrimor ka qenë me humbje apo zero.

Kujdes: Për paraqitjen me vonesë të këtij vendimi zbatohet një gjobë prej 10 000 lekësh.

Personi juridik duhet të deklarojë dhe të paguajë për llogari të administratës tatimore tatimin mbi dividendin e pagueshëm, jo më vonë se data 20 gusht e vitit kur bëhet miratimi i rezultateve, pavarësisht nëse është bërë ose jo shpërndarja e dividendit.

 

Përllogaritës Tatim Fitimi

Zgjidh vitin

Të ardhurat e tatueshme

Shpenzime të zbritshme

Rezultati

Tatimi i llogaritur

Dokumenta ndihmëse