Pyetje të shpeshta > Për procedurat tatimore >

Për procedurat tatimore

 

 

  1. A mund të mbajë personi fizik i vetëpunësuar në ambientet e aktivitetit, persona të papaguar të familjes, të padeklaruar?
    Personi fizik i vetëpunësuar mund të mbajë në ambientet e aktivitetit, persona mbi 16 vjeç, të padeklaruar, të cilët kategorizohen si persona të papaguar të familjes. Fakt i cili vërtetohet nga certifikata familjare. Në rast se nga verifikimi në terren konstatohet në vendin e aktivitetit një person i papaguar i familjes ose që bashkëjeton ligjërisht me të vetëpunësuarin dhe nuk disponohet momentalisht certifikata familjare atij (tatimpaguesit) i lihet 5 ditë kohë për të provuar këtë fakt.
  2. Tatimpagues bisnes i vogël,  i cili gjatë vitit fiskal ka ushtruar aktivitet vetëm për disa ditë në periudha të shkëputura dhe jo vazhdimisht, a ka detyrim të dorëzojë deklaratën e Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin?
    Pavarësisht faktit nëse ky tatimpagues gjatë vitit paraardhës ka ushtruar aktivitet ekonomik për periudha të shkurtra kohore, apo vetëm në disa muaj, ka detyrimin të dorëzojë deklaratën vjetore të Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin.
  3. Çfarë dokumentesh duhet të mbajë apo të afishojë në ambjentet e ushtrimit të aktivitetit një tatimpagues i regjistruar rishtazi?

    Një tatimpagues i regjistruar rishtazi duhet që në ambjentet e ushtrimit të aktivitetit, të afishojë në një vend të dukshëm:

    - listën e çmimeve për mallrat/shërbimet e ofruara,
    - kopje të çertifikatës së regjistrimit,
    - certifikatë licencimi nëse ka,
    - njoftim për të drejtën e pajisjes së klientit me kuponin tatimor.

    Gjithashtu, tatimpaguesi duhet të mbajë në gjendje pune pajisjen fiskale.

  4. Si dhe ku mund të verifikojë një tatimpagues nëse tatimpaguesi tjetër me të cilin do të kryejë një transaksion, është apo jo në statusin aktiv?

Çdo tatimpagues përpara se të hyjë në një transaksion me një tatimpagues tjetër ka mundësinë të verifikojë statusin e tij dhe të sigurohet që blerësi apo shitësi është tatimpagues me status “Aktiv” dhe mund të kryejë transaksione.

Për të verifikuar statusin e një tatimpaguesi (Aktiv/Pasiv etj) në faqen zyrtare të administratës tatimore, www.tatime.gov.al, publikohet lista e tatimpaguesve që kanë kaluar në regjistrin pasiv, e cila përditësohet çdo ditë pune. Gjithashtu, tatimpaguesi mund të konsultohet me regjistrin tregtar në faqen zyrtare të QKB-së, www.qkb.gov.al.