Pyetje të shpeshta > Paketa Fiskale 2019 >

Paketa Fiskale 2019



  1. A mund të regjistrohet më shumë se një herë një person fizik me të njëjtin numër identifikimi personal?
    Personi fizik që aktualisht është i regjistruar me një NIPT/NUIS, nuk mund të regjistrohet me një NIPT/NUIS të ri. Në rast se kërkon të pajiset me një NIPT/NUIS të ri, fillimisht ai duhet të çregjistrojë NIPT-in/NUIS-in ekzistues.
  2. Në rast se personi fizik do të ushtrojë një veprimtari të re në vende të ndryshme nga adresa kryesore, si duhet të veprojë?
    Kur tatimpaguesi do të ushtrojë një veprimtari të re, ai pajiset me një cerfikatë me numër unik identifikimi të njëjtë me atë të regjistrimit, por me numër serial të ndryshëm, me qëllim identifikimin e vendndodhjes të veprimtarisë së re.
  3. Kur mund të kalojë një tatimpagues në regjistrin pasiv?
    Një tatimpagues kalon në regjistrin pasiv, kur deklaron në QKB pezullim të veprimtarisë tregtare dhe paguan detyrimet tatimore.
  4. Si vepron Administrata Tatimore në rastet kur konstaton se tatimpaguesi kryen transaksione ndërkohë që është në statusin pasiv?
    Transaksionet e kryera nga tatimpaguesi që rezulton në regjistrin pasiv, konsiderohen shkelje administrative. Për shitësin, i cili është në regjistrin pasiv Administrata Tatimore bën vlerësim tatimor, ndërsa për blerësin bëhet vlerësim tatimor për mosnjohjen e TVSH-së së zbritshme dhe të shpenzimit.
  5. Çfarë lehtësimi përfiton tatimpaguesi nëse pranon vlerësimin tatimor në rastin e kundërvajtjeve në lëshimin e faturave tatimore, dëftesave tatimore dhe dokumentimin e transaksioneve?
    Për të tilla kundërvajtje, nëse tatimpaguesi pranon vlerësimin tatimor dhe e paguan detyrimin, gjoba zbritet me 30% të vlerës.
  6. Sa është shkalla tatimore e TVSH-së për furnizimin e shërbimit të reklamës në mediat audiovizive? A zbatohet kjo shkallë dhe për shërbimet e tjera?
    Shkalla tatimore e TVSH-së së aplikuar për për furnizimin e shërbimit të reklamës në mediat audiovizive është 6%. Kjo shkallë tatimore zbatohet vetëm për këtë lloj shërbimi nga media audiovizive.
  7. Sa është shkalla tatimore e TVSH-së për shitjet librat e çdo lloji?
    Shkalla tatimore e TVSH-së së aplikuar për për furnizimin e librave të çdo lloji është 6%.
  8. Sa është norma e kompensimit të fermerëve?
    Norma e kompensimit për fermerët është 6%.
  9. Cilat janë përjashtimet për TVSH-në që ka parashikuar Paketa e re Fiskale?
    Në Paketën Fiskale janë përjashtuar nga TVSH-ja:

    furnizimi i makinave bujqësore,
    furnizimi i inputeve bujqësore,
    furnizimi i shërbimeve veterinare (me përjashtim të atyre për kafshët shtëpiake), importimi i lëndëve të para që përdoren për prodhimin e barnave.
  10. Cilat janë normat tatimore të Tatimit mbi të Ardhurat nga punësimi sipas nivelit të pagës bruto?
    Normat tatimore të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi janë: 

    0% - Paga mujore bruto deri 30,000 lekë;
    13% - Pjesa e pagës mujore bruto mbi 30,000 - 150,000 lekë
    23% - Pjesa e pagës mujore bruto mbi 150,000 lekë
  11. Cilat konsiderohen të ardhura me burim në Shqipëri sipas Paketës së re Fiskale?
    Të ardhura me burim në Shqipëri konsiderohen edhe të ardhurat e realizuara nga jorezidentë, të përfituara si rezultat i shërbimeve të kryera për një person rezident në Shqipëri.
  12. A i nënshtrohet Tatimit mbi Fitimin personat jorezident?
    Tatimit mbi Fitimin i nënshtrohet edhe çdo person jorezident që nuk është i regjistruar për shkak të përcaktimit të deritashëm të ligjit në Shqipëri, si dhe i cili nuk i nënshtrohet Tatimit mbi të Ardhurat.
  13. A njihen si shpenzim dietat?
    Konsiderohen të panjohura shpenzimet për dieta që tejkalojnë 50% të fondit të pagës bruto vjetore.
  14. Cila është shkalla tatimore që aplikohet mbi dividentin dhe kushtet e pagesës së tatimit mbi dividentin?
    Për periudhat tatimore 2017 dhe më parë si dhe për atë të vitit 2018, tatimi aplikohet 8%, me kusht që:

    - tatimi që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019;
    - tatimi për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019.
    Mosplotësimi i kushtit sipas afatit më lart, bën që tatimi mbi dividentin të zbatohet në shkallën 15%. Nga viti 2019 e më pas pavarësisht datës së deklarimit/pagesës së tatimit, shkalla tatimore mbetet 8%.
  15. Deri në çfarë shume të detyrimit tatimor vlerësohet si detyrim ose kredi me vlerë zero?
    Shuma e detyrimit tatimor e detyrueshme për t’u paguar ose shuma e tepricës së kredisë, me vlerë deri në 1,000 (një mijë) lekë, vlerësohet si detyrim ose kredi me vlerë zero. Për shuma të tilla nuk bëhet vlerësim tatimor nga Administrata Tatimore.
  16. Si realizohet shlyerja e detyrimeve tatimore në momentin e pagesës nëse ka detyrime të prapambetura?
    Pagesat e kryera për çdo tatim, përveç pagesave për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, fillimisht do të shkojnë për të mbyllur detyrimet më të hershme brenda të njëjtit lloj detyrimi, në qoftë se këto detyrime nuk janë në proces apelimi, gjykimi apo në marrëveshje të pagesës me këste të detyrimeve tatimore të papaguara.