Individ > Të ardhurat e tatueshme > Të ardhura të përjashtuara

Të ardhura të përjashtuara

Përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale të ardhurat e poshtëshënuara:

  • Të ardhurat e përfituara si rezultat i sigurimit në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetesore, si dhe ndihmat ekonomike për individët pa të ardhura ose me të ardhura të ulta.
  • Bursat e nxënësve dhe të studentëve.
  • Shpërblimet e marra në raste sëmundjesh, fatkeqësish, në përputhje me dispozitat e legjislacionit përkatës në fuqi.
  • Të ardhurat e përfituara, përfshirë të ardhurat në formë monetare ose në natyrë, nga pronarët si shpërblim për shpronësimet që i bëhen nga shteti për interesa publike.
  • Të ardhurat që përjashtohen në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi i Shqipërisë.
  • Të ardhurat e përfituara si rezultat i kompensimit financiar, për ish-pronarët dhe ish të dënuarit politikë.
  • Kontributet e bëra nga punëdhënësi për sigurimin e jetës dhe të shëndetit të punëmarrësve.
  • Përfitimet për dëmshpërblime, të marra nëpërmjet vendimeve të formës së prerë të gjykatave, si dhe kompensimet e caktuara për kostot gjyqësore.
  • Të ardhurat e përfituara nga institucionet shtetërore për arritjet në shkencë, sport, kulturë.
  • Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore nga një fermer i regjistruar te një fermer apo person fizik a juridik që kryen aktivitet bujqësor.
  • Kalimi i të drejtës së pronësisë brenda lidhjes gjinore burrë, grua, fëmijë, nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur pasuria rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme e fituar në bazë të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar.
  • Të ardhurat e përfituara nga kalimi i së drejtës së pronësisë për banesën dhe/ose truallin,brenda lidhjes gjinore në familje, bashkëshort, bashkëshorte, fëmijë, vetëm një herë ndaj njëpërfituesi, nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria.
  • Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi të pensionit vullnetar deri në masën e përcaktuar në ligjin për fondet e pensionit vullnetar.
  • Kthimi i investimit, përfshirë fitimet nga kapitali prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensioneve, gjatë administrimit nga shoqëria administruese.