Avokati i Tatimpaguesve > Misioni >
Misioni i Avokatit të Tatimpaguesve
Avokati i Tatimpaguesve mbron interesat e tatimpaguesve në marrëdhëniet me organet tatimore.
Ai autorizohet të investigojë të gjitha kërkesat e tatimpaguesve, që përmbajnë probleme të administrimit të tatimeve, si vonesa administrative të paarsyeshme, gabime të zyrtarëve tatimorë, që nuk janë zgjidhur në mënyrën e duhur pas paraqitjes nga tatimpaguesi, mosrespektimi i procedurave tatimore apo shkelje tëprocedurave tatimore nga zyrtarët tatimorë.
Autoriteti i Avokatit të Tatimpaguesve
Në kryerjen e funksionit të tij ligjor Avokati i Tatimpaguesve ka autoritetin që:
- të kërkojë, informacion dhe sqarime nga të gjithë punonjësit e administratës tatimore.
- të urdhërojë Drejtoritë Rajonale Tatimore për evidentimin e informacioneve dhe për shqyrtimin e ankesave të tatimpaguesve të veçantë apo grupeve të tatimpaguesve.
- të urdhërojë Drejtoritë Funksionale në DPT për të shqyrtuar procedura të caktuara të administrimit tatimor.
- të rekomandojë pёrmirёsimin e proçedurave tatimore dhe po të jetë rasti edhe ndryshime në legjislacionin tatimor apo Kodin e Etikës së Administratës Tatimore.
- të referojë raste tё veçanta tek Drejtoria e Kontrollit Tatimor ose Drejtoria e Investigimit Tatimor, nёse informacioni apo dokumentacioni lidhur me një ankesë konkrete nga tatimpaguesit tregojnё se rasti nё fjalё kёrkon nisjen e procesit tё kontrollit apo investigimit administrativ tatimor.
- të referojë raste tё veçanta tek Drejtoria e Kontrollit tё Brendshёm ose Drejtoria e Investigimit të Brendshëm, nёse informacionet e administruara nga Avokati i Tatimpaguesit, në mënyrë të përsëritur, i referohen sjelljeve të papërshtatshme të punonjësve/ inspektorëve të caktuar apo keqpërdorimit të procedurave, sistemeve dhe autoritetit zyrtar prej tyre, duke treguar se rasti nё fjalё kёrkon nisjen e procesit tё kontrollit apo investigimit të brendshëm për ato punonjës të administratës tatimore apo në procedurat e sistemet përkatëse.
- të propozojë masa disiplinore për punonjësit, të cilët nga analizimi i rasteve të shqyrtuara prej tij rezulton se nuk respektojnë procedurat apo i shkelin ato me dashje, megjithëse përgjegjësia kryesore për propozime të tilla i takon drejtorëve rajonalë ose funksionalë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Funksionet e Avokatit të Tatimpaguesve
Avokatit të Tatimpaguesve ka si funksion parësor:
- sigurimin e një informacioni efiçent
- prezantimin në hallkat administrative përkatëse të problemeve e të shqetësimeve të tatimpaguesve, në përmbushjen e detyrimeve tatimore dhe të procedurave përkatëse administrative,
- garantimin e plotësimit të të drejtave të tatimpaguesve nga administrata tatimore.
Avokati i Tatimpaguesve ka këto funksione të tjera:
- evidentimin, klasifikimin dhe trajtimin e drejtë të çdo ankese të marrë nga tatimpaguesit;
- bashkëpunimin me drejtorinë e shërbimit të tatimpaguesve, për të promovuar rolin e Avokatit të Tatimpaguesit në mbrojtjen e të drejtave të tatimpaguesit;
- bashkëpunimin me drejtorinë e kontrollit të brendshëm, drejtorinë e personelit dhe drejtoritë e tjera të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të garantuar që tatimpaguesit të trajtohen apo do të trajtohen në përputhje me dispozitat ligjore dhe se të drejtat e tyre mbrohen dhe respektohen në mënyrën e duhur nga punonjësit e administratës tatimore, në përputhje me Kodin e Etikës;
- ndjekjen dhe trajtimin me korrektësi të çdo rasti individual dhe mbylljen e arkivimin e tyre vetëm pasi ankesat të jenë trajtuar e zgjidhur në përputhje me legjislacionin tatimor, dispozitat e Kodit të Etikës dhe udhëzimet e nxjerra në zbatim të dispozitave të këtij kreu;
- bashkëpunimin me drejtorinë e shërbimit të tatimpaguesve, drejtorinë e trajnimit dhe drejtorinë e personelit, me qëllim që nga përfundimet e nxjerra nga rastet e veçanta në të gjitha drejtoritë rajonale tatimore, të garantohet mospërsëritja e gabimeve;
- bërjen e propozimeve zëvendësdrejtorëve të përgjithshëm dhe koordinatorëve rajonalë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për masa administrative ndaj punonjësve të administratës tatimore, të cilët kanë shkelur dispozitat e Kodit të Etikës;
- referimin e rasteve të veçanta drejtorisë së investigimit të brendshëm ose drejtorisë së investigimit kriminal, nëse informacioni apo dokumentacioni i nxjerrë tregojnë se rasti në fjalë kërkon nisjen e procesit të investigimit administrativ ose kriminal;
- bërjen e propozimeve Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve për përmirësime në proceset e punës dhe në procedurat tatimore, si dhe lidhur me dispozitat e Kodit të Etikës, me synim përmirësimin e shërbimeve ndaj tatimpaguesve, reduktimin e barrës administrative dhe lehtësimin e procedurave për tatimpaguesit në përmbushjen e detyrimeve tatimore.