Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

Bizneset në status pasiv – Si të paguani tatimin mbi dividentin

Në përgjigje të interesimit të tatimpaguesve mbi teknikat e deklarimit dhe mënyrën e pagesës së tatimit mbi dividentin kur janë në status pasiv, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron si më poshtë:

Ka dy mënyra deklarimi të shpërndarjes së dividentit - fitimin e mbartur nga periudhat e mëparshme, -  për tatimpaguesin në status pasiv, i cili sipas Ligjit 9920 datë 19.5.2008 i ndryshuar, për këtë periudhë nuk paraqet deklarata periodike tatimore.

     1. Kalimi nga regjistri (statusi) pasiv në regjistrin (statusin) aktiv të administratës tatimore.

        a) Tatimpaguesi riaktivizohet në Qendrën Kombëtare të Biznesit në rast se kërkesa për pezullim është kryer nga vetë tatimpaguesi pranë QKB-së. Pas këtij ndryshimi, statusi i ndryshuar pasqyrohet automatikisht nga sistemi elektronik i QKB-së në sistemin e DPT-së, me datë të vlefshme aktivizimi datën e miratimit të aktivizimit në QKB.

        b) Tatimpaguesi riaktivizohet në zyrat e regjistrimit të DRT-ve përkatëse nëpërmjet një kërkese, në rastet kur statusi i tij në pasiv është vendosur nga administrata tatimore. Statusi i ri do të jetë me datë të vlefshme aktivizimi, datën e miratimit të kërkesës së tij.

Pas riaktivizimit me anë të një prej mënyrave të mësipërme, tatimpaguesi deklaron dividentin në deklaratën e Tatimit në Burim, por gjithashtu dorëzon edhe të gjitha deklaratat për periudhën përkatëse, sipas përgjegjësive tatimore për të cilat është regjistruar.

Pas përmbushjes së këtij detyrimi, tatimpaguesi mund të ndryshojë statusin e tij pranë QKB-së, duke u rivendosur përsëri në regjistrin pasiv.

      2. Tatimpaguesi mund të dorëzojë deklaratë të re tatimore, me ndryshime të tatimit në burim për periudhën e fundit aktive.

         a) Kjo deklaratë e re mund të dorëzohet nga vetë tatimpaguesi nëse periudha që do të ndryshohet është brenda 36 muajve nga afati i dorëzimit të deklaratës fillestare.

         b) Në rastet kur periudha që do të ndryshohet është jashtë 36 muajve nga afati i dorëzimit të deklaratës fillestare, ndryshimi kryhet nga administrata pas kërkesës me shkrim nga tatimpaguesi.

Në zbatim të Ligjit Nr. 9920, datë 19.5.2008 i ndryshuar, neni 67, dorëzimi i një deklarate tatimore të ndryshuar përfshin pagesën e çdo detyrimi tatimor shtesë të deklaruar.

Detyrimi i deklaruar dhe i detyrueshëm për t’u paguar sipas deklaratës së ndryshuar, do të përfshijë përveç principalit edhe kamatëvonesat për periudhën ndërmjet afatit të dorëzimit të deklaratës fillestare dhe datës së dorëzimit të deklaratës tatimore të ndryshuar, për llogaritjen e  të cilave zbatohen dispozitat e këtij ligji.