Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

Shërbimet mjeksore, DPT takim me sipërmarrjen: Nxitje për vetkorrigjim, për një bashkëpunim më cilësor

Datë 7 Dhjetor 2016

Aplikimi me sukses i Sistemit të Menaxhimit të Riskut në proceset analitike dhe të raportimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ka evidentuar edhe sektorët më të ekspozuar ndaj riskut tatimor. Me nismën e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, më 05.12.2016 u zhvillua një takim me karakter analitik e informues me një përfaqësi të shoqatave përfaqësuese të biznesit, Urdhërit të Mjekut, Shoqatës së Dentistëve Shqiptarë e disa përfaqësuesve të subjekteve privatë, të cilët ofrojnë shërbimeve mjeksore në vendin tonë.

Gjatë fjalës së saj, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Vasilika Vjero shprehu vullnetin e administratës tatimore për të mbështetur çdo subjekt, e veçanërisht, sektorin që ofron shërbime mjeksore në përmbushjen vullnetare të detyrimeve ligjore.

"Qëllimi i këtij takimi është vendosja e një komunikimi të vazhdueshëm dhe shtrirja e bashkëpunimit me qëllim nxitjen dhe stimulimin e pajtueshmërisë vullnetare të biznesit në zbatim të praktikave të kërkuara ligjore e fiskale. Për herë të parë Administrata Tatimore nis një komunikim të kësaj natyre i cili i ka për qëllim ti japë kohë për vetkorrigjim të gjithë subjekteve të cilët nga analizat e sistemeve të informatizuara rezultojnë si subjekte me risk " tha znj. Vjero.

Duke theksuar rëndësinë e mbështetjes te sistemi i menaxhimit të riskut për një trajtim të pa anshëm e të drejtë të të gjithë bizneseve që operojonë në mënyrë të ndershme në vend, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj. Vjero tha se "Ky takim i parë me përfaqësues të këtij sektori do të shërbejë edhe si një shembull për tu replikuar edhe për sektorë të tjerë ashtu sikurse- tha ajo- ne jemi të ndërgjegjshëm e kemi nisur një proces të rëndësishëm të zhvillimit të kapaciteteve e shërbimeve që ofron administrata tatimore në të gjitha nivelet e saj".

Takimi vijoi me prezantimin e analizës së menaxhimit të riskut për sektorin e shërbimeve mjeksore ku u evidentuan disa nga problematikat si nëndeklarim i pagave për profesionistët e këtij sektori, numri dhe vlera e ulët e kuponëve të lëshuar nga këto subjekte etj.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Shoqatave të Biznesit, Urdhërit të Mjekut e Urdhërit të Dentistëve të Shqipërisë, vlerësuan ftesën për pjesmarrje në këtë takim si dhe informimin mbi situatën konkrete ku gjendet një pjesë e sektorit të shërbimeve shëndetsore në raport me tatimet.

Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë znj. Ines Muçostepa, sugjeroi që analiza e DPT të thellohet akoma dhe më tej duke evidentuar një faturë reale kostosh të shkaktuara si pasojë e nëndeklarimeve apo mungesës së tyre nga të gjithë sektorët që paraqesin risk.
Sakaq z. Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë e Industrisë në Tiranë tha se: "Administrata tatimore në çdo rast duhet të inkurajohet për të ushtruar plotësisht kompetencat e saj në funksion të zbatimit të ligjit, ndaj, -tha ai -biznesi duhet të mirpresë këtë nismë, e cila i jep mundësinë secilit të vetkorrigjohet e të ushtrojë veprimtarinë konform legjislacionit e në kushtet e konkurencës së ndershme".

Brenda muajit Dhjetor, të gjithë subjektet të cilët janë evidentuar nga Sitemi i Menaxhimit të Riskut si subjekte me risk do të njoftohen elektronikisht për të bërë në mënyrë vullnetare korrigjimet përkatëse. Vetëm pas përfundimit të kësaj faze dhe afateve për vetkorrigjim administrata tatimore do të vijojë me kontrollet më të thelluara në subjekte.