Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

12,843 tatimpagues janë informuar për Paketën Fiskale 2019, në 14 takimet rajonale

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në kuadër të fushatës për informimin e tatimpaguesve në lidhje me ndryshimet ligjore të Paketës Fiskale 2019 zhvilloi takime sipas një kalendari të dedikuar në të 14 Drejtoritë Rajonale Tatimore.

Gjatë këtyre takimeve, që u zhvilluan në periudhën 15 janar – 28 shkurt, morën pjesë 877 konsulentë fiskalë, ekonomistë dhe ekspertë kontabël, të cilët përfaqësojnë 12,843 tatimpagues në rang vendi.

Qëllimi i këtyre takimeve ishte njohja me ndryshimet me legjislacionin tatimor, zbatimi sa më korrekt dhe informimi i duhur i tatimpaguesve.

Ekspertët e DPT-së dhe të Drejtorive Rajonale Tatimore, në këto takime dhanë informacionet e nevojshme, si dhe i ftuan tatimpaguesit që të vijojnë  të përdorin të gjitha kanalet e komunikimit të vëna në dispozicion nga ana e administratës tatimore, për të siguruar për zbatimin sa më të drejtë të legjislacionit.

Përfaqësuesit e tatimpaguesve, në të gjitha takimet e zhvilluara vlerësuan qasjen profesionale të Administratës Tatimore për informimin me korrektësi të Paketës Fiskale 2019.

Paketa Fiskale 2019, që ka hyrë në fuqi në datë 1 janar 2019 ka si objektiv përmirësimin e administrimit në mbledhjen e të ardhurave, reduktimin e kostove të përmbushjes tatimore, si nga biznesi, ashtu edhe nga administra, por edhe nxitjen e deklarimeve dhe pagesave në kohë.

Kjo paketë synon lehtësimin e procedurave tatimore, stimulimin e zhvillimit të disa sektorëve, si : bujqësisë, turizmit, energjetikës, inovacionit etj.; reduktimin e evazionit fiskal dhe shmangies tatimore, si dhe lehtësimin e komunikimit kryesisht në rrugë elektronike, si me institucionet e linjës, ashtu edhe me tatimpaguesit.

Aktualisht punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesve po bëjnë informimin në mjediset e ushtrimit të aktivitetit ekonomik, përmes shpërndarjes edhe të materialeve dhe broshurave.