Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

Shpallje për konkurrim për pranim në strukturat e Hetimit Tatimor

Në zbatim të ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 "Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë'', i ndryshuar, Udhëzimit nr.24, datë 02.09.2008 i ndryshuar “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, Ligjit nr. 7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës të Shqipërisë”, i ndryshuar, Rregullores “Për përcaktimin e procedurave të rekrutimit, emërimit, vlerësimit dhe marrjen e masave disiplinore për punonjësit e strukturave të Hetimit Tatimor”, miratuar me Urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve nr. 65, datë 04.10.2017, i ndryshuar, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ju njofton hapjen e procedurës për konkrurrim për pranim në strukturat e Hetimit Tatimor, në Drejtorinë e Hetimit Tatimor Rajoni Jugor e Qendror, për grupin e pozicioneve: 

 

  • 3 (tre) pozicione Inspektor Zbatimi në Sektorin e Zbatimit, në Drejtorinë e Hetimit Tatimor, Rajoni Qendror, kategoria IV-a;
  • 2 (dy) pozicione Inspektor Hetimi, në Sektorin e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Hetimit Tatimor, Rajoni Qendror, kategoria IV-a;
  • 1 (një) pozicione Inspektor Zbatimi në Sektorin e Zbatimit, në Drejtorinë e Hetimit Tatimor, Rajoni Jugor, kategoria IV-a;
  • 2 (dy) pozicione Inspektor Zbatimi në Sektorin e Zbatimit, në Drejtorinë e Hetimit Tatimor, Rajoni Jugor, kategoria IV-b;
  • 2 (dy) pozicione Inspektor Hetimi, në Sektorin e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Hetimit Tatimor, Rajoni Jugor, kategoria IV-a;
  • 2 (dy) pozicione Inspektor Hetimi, në Sektorin e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Hetimit Tatimor, Rajoni Verior, kategoria IV-a.

Kriteret e përgjithshme e të posaçme:

Për pranimin në strukturat e hetimit tatimor një kandidat duhet të plotësojë kërkesat e përgjithshme si më poshtë:

a) të jetë shtetas shqiptar;

b) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

c) të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;

ç) të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;

d) të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;

dh) ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar deri në momentin e aplikimit;

e) të plotësojë kërkesat e posaçme për nivelin e arsimit, përvojës dhe kërkesat e tjera të posaçme sipas pozicionin përkatës.

 

Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e posaçme si vijon:

- Inspektor Zbatimi kategoria IV-a- duhet të zotërojë minimalisht diplomë Bachelor në Shkenca Ekonomike ose Juridike dhe të ketë jo me pak se 1 vit përvojë pune në profesion.


- Inspektor Zbatimi kategoria IV-b- duhet të zotërojë minimalisht diplomë Bachelor në Shkenca Ekonomike ose Juridike.


- Inspektor Hetimi kategoria IV-a- duhet të zotërojë diplomë Master Profesional në Shkenca Ekonomike ose Juridike, diploma Bachelor në të njëjtën fushë dhe të ketë jo me pak se 1 vit përvojë pune në profesion.

 

Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit

Kandidatët, të cilët aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentet si më poshtë:

 

  1. Kërkesë, ku të përcaktohen ndër të tjera, gjeneralitetet si dhe pika kontakti (Datëlindje, Vendlindje, Atësi, Amësi, Adresë, e-mail, Tel.)
  2. Jetëshkrim
  3. Fotokopje të diplomës (përfshirë edhe diplomën bachelor), për diplomat e marra jashtë Republikës së Shqipërisë të përcillet njehsimi nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
  4. Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
  5. Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
  6. Vërtetim të gjendjes shëndetësore (raport mjeko – ligjor);
  7. Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore;
  8. Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj;

Dorëzimi i të gjitha dokumenteve të cituara më sipër do të bëhet në mënyrë elektronike, në adresen e e-mail rekrutime@tatime.gov.al, dokumentacioni duhet të jetë i skanuar, si dhe i shoqëruar me një listë dokumentacioni dhe një kërkesë për aplikim ku të përcaktohet saktë pozicioni/sektori/rajoni (Drejtoria Rajonale).

Afati për dërgimin e dokumentave është data 14.10.2018, ora 00:00. Çdo aplikant, i cili brenda afatit të përcaktuar, nuk dërgon të gjithë dokumentacionin e kërkuar, humbet automatikisht të drejtën e vijimit të fazave të konkurrimit.

Rezultatet për fazën e verifikimit paraprak

Pas datës 19.10.2018, në faqen zyrtare të internetit të DPT, do të shpallet lista e kandidatëve, që plotësojnë kërkesat e posaçme, si dhe data, vendi dhe ora e saktë ku do të zhvillohet testimi me shkrim.

Fushat e njohurive mbi të cilat do të zhvillohet testimi dhe intervista

Kandidatët do të testohen në lidhje me:

- Njohuritë mbi Ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 "Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë'', i ndryshuar;


- Njohuritë mbi Ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar;

- Njohuritë mbi Kodin e Procedurave Administrative në Republikën e Shqipërisë;

- Njohuritë mbi Ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar;

- Njohuritë mbi Ligjin Nr. 92/2014 "Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar";

- Njohuritë mbi Ligjin Nr. 8438, datë 28.12.1998 "Për tatimin mbi të ardhurat" i ndryshuar;

- Njohuritë mbi Ligjin Nr. 9136, datë 11.09.2003 "Për mbledhjen e kontributeve të detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore", i ndryshuar;


- Njohuritë mbi Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.400, datë 22.04.2009 “Për detyrat dhe funksionet e Drejtorisë së Hetimit Tatimor”;

Mënyra e vlerësimit të kandidatëve

Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me:

a - Testimin me shkrim, deri në 70 pikë;
b - Intervistën e strukturuar me gojë deri në 30 pikë;

Vëtëm kandidatët që kanë marrë mbi 70% të pikëve totale të testimit, kanë të drejtë të zhvillojnë intervistën e strukturuar me gojë. Ata do të njoftohen për vendin dhe orën e zhvillimit vetëm nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të DPT-së.

Data e daljes së rezultateve të konkurimit dhe mënyra e komunikimit

Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, DPT do të shpallë listën e kandidatëve fitues në faqen zyrtare të institucionit, të cilët kanë marrë më tepër së 60% të pikëve totale (testim, si dhe intervistë e strukturuar).