Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

Drejtoria Rajonale Tatimore Vlorë, takim me subjektet turistike për mbarëvajtjen e sezonit

Drejtoria Rajonale Tatimore Vlorë zhvilloi një tryezë të përbashkët me subjektet që ushtrojnë aktivitet në sektorin e turizmit, në kuadër të planit të masave që po ndërmerr administrata tatimore.

Drejtoresha e DRT Vlorë, znj.Pranvera Resulaj, gjatë fjalës së saj i njohu pjesëmarrësit në takim me planin e masave që po zbatohet, si dhe vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm që ka treguar biznesi me administratën tatimore.

“Mbarëvajtja e këtij sezoni është në interes të ekonomisë se vendit, të turistëve qofshin  vendas apo të huaj, si dhe të bizneseve, që ushtrojnë veprimtari në zonat turistike. Ne, si administrate, ju bëjmë thirrje të tatimpaguesve që të zbatojnë me korrektësi legjislacionin tatimor, detyrimet që rrjedhin prej tij dhe të realizojnë brenda afateve pagesat”, tha znj. Resulaj. 

Administrata Tatimore, tha znj.Resulaj do të jetë e pranishme në çdo zonë që ka aktivitet turistik në rajonin e Vlorës për t’iu përgjigjur nevojave që mund të ketë biznesi, por edhe për të eliminuar problematikat që mund të lindin.

Ndërsa përfaqësuesit e biznesit, nga ana e tyre, vlerësuan organizimin e këtyre takimeve dhe kërkuan që administrata tatimore të rrisë monitorimin ndaj subjekteve apo individëve që me ushtrojnë aktivitet informal dhe dëmtojnë konkurrencën.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është duke zbatuar një plan të detajuar masash për të siguruar një ecuri sa më pozitive të sezonit, në të gjitha zonat turistike të vendit.