Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj.Vasilika Vjero mori pjesë në Forumin e Kartave të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj.Vasilika Vjero, mori pjesë në forumin “Rritja e përdorimit të kartës si instrument pagese”, që u organizua nga Shoqata Shqiptare e Bankave në datë 4 maj 2018.  Forumi kishte si qëllim diskutimin mes përfaqësuesve të sistemit bankar, qeverisë, administratës tatimore, sipërmarrjeve etj. mbi mënyrat e reduktimit të parasë ‘cash’ në ekonominë shqiptare.

Gjatë fjalës në panelin e diskutimeve, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve tha se lufta kundër informalitetit ka qenë në fokus të punës së Administratës Tatimore gjatë dy viteve të fundit dhe vijon të jetë, bazuar në plane veprimi konkrete për sektorë e tatimpagues të caktuar, por edhe ndaj fenomeneve shqetësuese.

“Në Shqipëri, ekonomia gri mund të reduktohet nëpërmjet promovimit të pagesave elektronike apo vendosjes së kufizimeve për shumat që paguhen ‘cash’. Kjo konstatohet kryesisht në marrëdhëniet biznes – konsumator, ku ky i fundit paguan, por shumë herë nuk kërkon faturë. Në këtë mënyrë favorizon padashur ekonominë gri dhe nga ana tjetër biznesi nuk e regjistron këtë transaksion”, tha znj. Vjero.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve nënvizoi gjithashtu faktin, se ka ardhur koha që të ndërmerren ndryshime ligjore për të lehtësuar tatimpaguesit, me qëllim rritjen e formalizimit të pagesave.

Kjo, tha znj.Vjero, mund të arrihet me vendosjen e kufizimeve më të forta në përdorimin e parasë ‘cash', përmes : zhvillimit të sistemit për pagesat me e- Filing, fiskalizimit, moslejimit të  veprime me  ‘cash’ për transaksione të kryera midis dy bizneseve,  kur vlera e transaksionit kalon shumën 50,000 lekë , si dhe të mos lejohet lejohen transaksione të kryera midis një biznesi dhe një individi, kur tejkalohet një vlerë e përcaktuar.

Gjithashtu znj.Vjero kërkoi të rritet bashkëpunimi me sistemin bankar privat për të nxitur kryerjen e pagesave të detyrimeve të ndryshime tatimore, që po realizohen përmes e-Albania dhe janë 13 në total.

Nga të pranishmit u vlerësuan rezultatet e arritura nga Administrata Tatimore në reduktimin e informalitetit, si dhe u mbështetën reformat e ndërmarra në përmirësimin e shërbimeve.