Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

Trajnimet për biznesin e vogël, pjesëmarrje e lartë në javën e parë të sesioneve të dedikuara

 

Nga data 5 deri në datë 8 mars u zhvillua sesioni i parë i trajnimeve të dedikuara të Drejtorive Rajonale Tatimore Tiranë, Vlorë, Durrës, Lezhë, Fier dhe Elbasan, për biznesin e vogël që do të përfshihet për herë të parë në skemën e TVSH-së.

Rreth 200 sipërmarrës, ekonomistë, ekspertë kontabël, etj. ndoqën nga afër këto sesione, ku u njohën hollësisht me procedurën që duhet të ndjekin në përmbushje të detyrimeve ligjore, konceptet e përgjithshme të TVSH-së, plotësimin dhe afatet e deklarimit të TVSH-së, librave të shitjes dhe blerjes, plotësimin dhe deklarimin e tyre, plotësimin e një fature tatimore etj..

Të gjithë pjesëmarrësit patën mundësi që të bënin pyetje dhe të merrnin përgjigje mbi çështje të ndryshme që u ngritën, në lidhje me përfshirjen në skemën e TVSH-së.

Kalendari i trajnimeve i cili shtrihet deri në fund të muajit qershor është konceptuar për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë bizneseve të vogla, sipas shtrirjes së tyre gjeografike. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është e gatshme dhe ka të gjithë kapacitetet për të shtuar numrin e trajnimeve nëse kjo do të jetë e nevojshme.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes një pune paraprake ka trajnuar dhe angazhuar ekspertët e saj më të mirë në të gjithë vendin, me synim ofrimin e asistencës dhe informimin sa më të gjerë të të gjithë sipërmarrësve, që do të përfshihen për herë të parë në skemën e TVSH-së.

Çdo subjekt i interesuar për të marrë pjesë në këto trajnime mund të kontaktojë paraprakisht zyrën e Shërbimit të Tatimpaguesve për të rezervuar pjesëmarrjen.