Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

Njoftim për afatin e deklarimit elektronik të vendimit të ortakut

Referuar nenit 33/1, pika 2 të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, shoqëritë tregtare dhe personat fizikë të cilët janë subjekte të tatimit mbi fitimin, duhet të depozitojnë pranë organeve tatimore, jo më vonë se data 31 korrik e vitit kalendarik, vendimin për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit të vitit paraardhës. Për mos paraqitjen apo paraqitjen me vonesë të këtij vendimi zbatohet një gjobë prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh për çdo muaj vonesë.

Sipas raportit të gjeneruar nga sistemi informatik i administrates tatimore, rezulton se një numër i konsiderueshëm tatimpaguesish të tatimit mbi fitimin nuk kanë paraqitur vendimin e ortakut për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit për vitet 2014 dhe 2015. Në këtë mënyrë, për këto tatimpagues, në sistem vazhdojnë të llogariten çdo muaj gjobat përkatëse, duke rënduar kështu situatën e tyre të detyrimeve të papaguara.

Lidhur me këtë problem, administrata tatimore fton të gjithë tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin për paraqitjen sa më parë në rrugë elektronike të vendimit të ortakut për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit, në mënyrë që të ndërpritet llogaritja e gjobave dhe të mos rëndohet më tej situata e detyrimeve të papaguara.

Administrata tatimore, kujton të gjithë tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin, se brenda datës 31 korrik duhet të paraqesin edhe vendimin e ortakut për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit të vitit 2016. Pas kësaj date fillon llogaritja në mënyrë automatike e gjobave për tatimpaguesit që nuk e kanë paraqitur këtë vendim.

Ju faleminderit!