Institucioni > Lajme > Lajme

DPT shqyrton strategjinë dhe planin e masave për sezonin turistik 2017

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, organizoi ditën e enjte, takimin e Komitetit të Përmbushjes për shqyrtimin e strategjisë dhe planit të masave për sezonin turistik 2017.
Në këtë takim, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj. Vasilika Vjero, kërkoi marrjen e masave konkrete për të asistuar çdo biznes të çelur rishtaz apo që transferon veprimtarinë përkohësisht në zonat bregdetare dhe ato të turizmit malor.

“Nisur nga të dhënat e institucioneve vendase si dhe operatorëve turistikë pritet një fluks më i lartë turistësh në raport me vitet e shkuara. E gjithë kjo përkthehet në kërkesa për shërbime, të cilat detyrimisht do të ofrohen nga biznesi. Në këtë kuadër administrata tatimore duhet të marrë masa për t’ju përgjigjur në kohë dhe me korrektësi kërkesave të çdo subjekti që do të ushtrojë veprimtarinë e tij në zonat turistike”.
Më tej znj.Vjero theksoi se “Administrata tatimore është institucioni që garanton ushtrimin e aktivitetit në kushtet e konkurrencës së ndershme. Nga kjo pikëpamje- shtoi ajo- është detyrë e jona të sigurohemi përmes strukturave të posaçme të monitorimit dhe kontrollit, frenimin dhe goditjen e çdo fenomeni të shmangies nga detyrimet fiskale, në respekt të ligjit dhe sipërmarrjes së ndershme”.

Në këtë sezon qasja ndaj biznesit do jetë e mbështetur në modelin e analizës së riskut, konkretisht vizita fiskale, kontrolle nga zyra dhe ndërhyrje në territor aty ku do të konstatohen parregullsi.

Komiteti i Përmbushjes shqyrtoi planin e masave për të garantuar ofrimin e shërbimeve konform legjislacionit si përputhja e çmimit të afishuar dhe dokumetuar në pajisjet dhe dokumetacionin fiskal si një përgjegjesi e përbashkët që turistëve vendas dhe të huaj t’ju ofrohet një trajtim korrekt, respektimin e detyrimit për deklarimin korrekt të të gjithë të punësuarve etj. Veç të tjerash plani i masave parashikon informimin dhe sensibilizimin e të gjithë tatimpaguesve dhe individëve për respektimin e legjilacionit tatimor e do të mbështetet fort në infromimin e gjerë të tyre.

Takimi erdhi pak ditë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar 6 % për strukturat akomoduese të cilin Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj Vasilika Vjero e vlerësoi si një faktor shtesë i cili do të incentivojë më tej zhvillimin e sipërmarrjes.