Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

“Tatimet dhe Biznesi për vitin 2017” takim me Dhomën Amerikane të Tregtisë

Përfaqësues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, morën pjesë sot në një takim të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, i cili kishte në qendër të vëmendjes problematikat e ndryshme që shfaqen në raportin tatimpagues dhe administratë tatimore me fokus kryesor në strategjinë e DPT-së për vitin 2017.

Gjatë këtij takimi, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj. Vasilika Vjero, prezantoi shkurtimisht pjesë integrale të strategjisë së përgjthshme të DPT–së për periudhën 2017–2021, duke u fokusuar në vitin aktual, si një periudhë në të cilën DPT është tërësisht e angazhuar në ndërtimin e urave të komunikimit me biznesin dhe në mbështetjen e plotë të tij. Ajo solli në vëmendje shërbimet e reja që ofron tashme DPT, si Qëndra e Thirjeve, faqen e re interaktive të DPT –së si një kanal i thjeshtë dhe praktik për të komunikuar me administratën tatimore, si dhe procesi i këshillimit me komunitetin e biznesit i cili tashmë është bërë një praktikë e përditshme e administratës tatimore.

Më tej znj. Vjero u ndal në pjesën e shqyrtimit me vëmendje të modeleve të riskut për ata sektorë të ekonomisë të cilët janë burim potencial i evazionit fiskal dhe informalitetit, me një vëmendje të shtuar tek puna që po kryen aktualisht DPT në identifikimin e skemave inteligjente të mashtrimit ekonomik, duke përfshirë krimin kibernetik, por edhe informalitetin e fushën ekonomisë së artit, në ato sektorë artistikë të cilët rezultojnë të jenë tejet fitimprurës për momentin në Shqipëri.

Në takim morën pjesë drejtues të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe përfaqësues të ndryshëm të komunitetit të biznesit, me të cilët u shkëmbyen opinione dhe mendime për përmirësimin marrëdhënies midis dy aktorëve kryesorë, administratës tatimore dhe biznesit në Shqipëri.

Ky debat i hapur me komunitetin e biznesit, përcjell frymën e bashkëpunimit të administratës tatimore duke synuar jo vetëm përthithjen e mendimit të kualifikuar nga operatorët ekonomikë për cështje që i shqetësojnë, por edhe për të rritur maksimalisht transparencën e punës me DPT.