Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

Njoftim për tatimpaguesit me aktivitet strukturat akomoduese, udhëzimet që duhen ndjekur!

Në prag të sezonit veror, Administrata Tatimore rikujton të gjithë tatimpaguesit me aktivitet strukturat akomoduese, të ndjekin udhëzimet e mëposhtme për të siguruar zbatimin efektiv të VKM-së nr. 160 datë 12.03.2025 "Për përcaktimin e periudhës së shfrytëzimit dhe të nivelit minimal të kapacitetit të shfrytëzimit të strukturave akomoduese" dhe për të lehtësuar procedurat e raportimit.

✓ PËRDORNI EMËRTIMIN E SAKTË NË FATURAT PËR SHËRBIMIN E AKOMODIMIT

Në faturat e lëshuara dhe të fiskalizuara për shërbimin e akomodimit, ju lutemi të siguroheni që përshkrimi i artikullit në faturë të fillojë detyrimisht me emërtimin "Dhomë".

✓ SPECIFIKONI QARTË KOHËZGJATJEN

Është thelbësore që në çdo faturë të specifikohet saktësisht numri i ditëve apo netëve të qëndrimit në strukturën akomoduese, duke shmangur përshkrime të përgjithshme si "paketë javore" apo "ditore".

✓ NDANI QARTË SHËRBIMET

Në faturat e lëshuara duhet të jetë i ndarë qartë çmimi i përcaktuar për shërbimin e akomodimit nga shërbimet e tjera (restorant/çadra/shezlongë/pishinë), përveç rasteve kur shërbimi i akomodimit ofrohet në paketë të përcaktuar me shërbime shtesë. Subjektet që ofrojnë shërbimin e tyre dhe në stacione plazhi, të mundësojnë lëshimin e faturës për çdo shezlong/ çadër.

✓ APLIKONI SAKTË SHKALLËN E TVSH-së

Ju sjellim në vëmendje se shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar prej 6% aplikohet vetëm për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit si dhe përcaktimeve mbi Ligjin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Administrata Tatimore ju nxit të ndërmerrni hapat e mësipërm me qëllim lehtësimin e përmbushjes me sukses të detyrimeve tatimore dhe thekson se zbatimi i këtyre udhëzimeve:

· Siguron përputhshmëri me kërkesat ligjore;

· Lehtëson procedurat e raportimit dhe shmang verifikimet;

· Mundëson përfitimin e saktë të shkallës së reduktuar të TVSH-së;

· Kontribuon në formalizimin e sektorit të turizmit.

Ju urojmë një sezon turistik të mbarë!