Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

Njoftim mbi procedurën që duhet të ndiqet për rregullimin e tepricës kreditore në funksion të ç’regjistrimit nga përgjegjësia tatimore e TVSH-së

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rikujton të gjithë tatimpaguesit me qarkullim të realizuar përgjatë vitit kalendarik 2020 nën kufirin prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh dhe kërkojnë të përfitojnë nga parashikimet e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 576 datë 22.7.2020, për t’u ç’regjistruar nga përgjegjësia tatimore e TVSH-së, të marrin masat që në deklaratën e muajit Dhjetor 2020, të rregullojnë TVSH-në duke prekur rubrika 50 “Rregullimi i tvsh së zbritëshme”, për mallrat stok (inventar) të pashitura, ose mallra kapitale, aktive të tjera të përdorura për veprimtarinë, ku TVSH-ja mbi këto mallra ka qenë tërësisht apo pjesërisht e zbritshme. Pas rregullimit të TVSH-së kjo vlerë do të vlerësohet si kosto biznesi/malli. Pas ç’regjistrimit nga përgjegjësia tatimore, TVSH-ja e akumuluar nuk do të jetë më e kërkueshme.

Për të gjithë tatimpaguesit të cilët, pavarësisht qarkullimit, kërkojnë të qëndrojnë me përgjegjësi tatimore me TVSH, në llogarinë e tyre në sistemin tatimor (në e-filing), në menunë `Çështjet e mia`, do të duhet që në çështjen: “Deklarimi për përgjegjësinë tatimore TVSH” të vetëdeklarojnë nëse do të vijojnë të qëndroni në skemën e TVSH-së. Mundësia për ta kryer këtë deklarim në formë elektronike ofrohet nga data 19 – 28 Janar 2021 dhe mund të plotësohet vetëm 1 herë.

Për më shumë informacion ju mund të kontaktoni Shërbimin për Tatimpaguesit  https://www.tatime.gov.al/c/9/157/drejtorite-rajonale, të telefononi në numrin e gjelbër pa pagesë 0800 00 02 pranë Qendrës së Thirrjeve, të përdorni shërbimin Live Chat në faqen zyrtare të DPT-së apo ti drejtoheni zyrtarisht Drejtorisë Rajonale të juridiksionit.