Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

Administrata Tatimore: Kujtesë për deklarimin korrekt të punonjësve dhe të pagave

Në zbatim të Planit kundër Informalitetit, Administrata Tatimore ka vijuar fushatën ndërgjegjësuese për deklarimin real të pagave, ndërsa vazhdon verifikimi në terren për punonjës të paregjistruar, specifikisht në sektorë të identifikuar me risk si ndërtimi, call center dhe fasoneri.

Nga analiza e riskut mbi nivelin e pagave, u identifikuan 7200 punëdhënës që nëndeklarojnë pagat e punonjësve të disa profesioneve të mirëpaguara dhe 13400 individë që ndikohen nga kjo, edhe për të ardhmen e tyre (vlera e pensionit).

Administrata Tatimore ka komunikuar në mënyrë të personalizuar me tatimpaguesit punëdhënës dhe vetë individët e nënpaguar, për t’i ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e deklarimit korrekt dhe të vetëkorigjimit.

Qëllimi i Administratës Tatimore është të komunikojë tek punëmarrësit përfitimet që kanë nga deklarimi korrekt i pagës së tyre dhe të ndërgjegjësojë punëdhënësit se mosdeklarimi i pagës reale përbën shkelje dhe dënohet sipas legjislacionit tatimor.

Administrata Taimore nxit të gjithë tatimpaguesit të vetëdeklarojnë në mënyrë korrekte e në respektim të ligjit, duke ju siguruar se monitorojmë në vazhdimësi deklarimet dhe ndryshimet që reflektohen në përmbushje. Për çdo parregullsi, për të cilën nuk janë ndërmarrë veprime vetëkorrigjuese, do të vijojmë me masat që parashikon ligji.

Plani kundër Informalitetit synon së pari ndërgjegjësimin e të gjithëve, se respektimi i ligjit është detyrim i njejtë për të gjithë dhe në të mirën e përbashkët.

Ne do të vijojmë të informojmë të gjitha subjektet dhe qytetarin shqiptar me informacionin e nevojshëm orientues për deklarimin korrekt tatimor dhe do të ngulmojmë të bëjmë punën tonë për ta garantuar këtë.