Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

Marrëveshje e re mes DPT dhe QKB: Shkëmbim të dhënash në kohë reale - Lehtësi për tatimpaguesit

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Qendra Kombëtare e Biznesit do të përdorin Protokollin e përmirësuar të Shkëmbimit Elektronik të të Dhënave, i cili siguron shkëmbimin dhe transmetimin e të dhënave midis dy institucioneve në kohë reale, me qëllim lehtësimin e  ndjekjes së procedurave ligjore nga ana e tatimpaguesve në praktikën e tyre me secilin prej institucioneve tona.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj.Delina Ibrahimaj dhe Drejtoresha e përgjithshme e QKB, znj. Pranvera Fagu nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi, e cila e vendos në një nivel të ri e të përmirësuar, ndërveprimin mes dy institucioneve.

Dy drejtueset theksuan se bashkëpunimi institucional midis palëve është i domosdoshëm dhe i rëndësishëm, pasi ndihmon në zbatimin sa më korrekt të të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi korrekt i ligjit dhe koordinimin e veprimeve për pasqyrimin real të të dhënave të subjekteve /tatimpaguesve  në dosjen e tyre elektronike.

Përmirësimet e kësaj marrëveshjeje të re bashkëpunimi sigurojnë:

  • Pasqyrimin e ndryshimeve ligjore të paketës fiskale të vitit 2019,
  • Shkëmbimin e të dhënave në mënyrë elektronike duke hequr një pjesë të konsiderueshme të procedurave shkresore.
  • Marrjen dhe shkëmbimin e të dhënave shtesë midis dy institucioneve për subjektet të cilat janë pjesë e regjistrit tregtar dhe administrohen nga QKB.
  • Krijimin e mundësisë për konsultimin në kohë reale të situatës tatimore të tatimpaguesit/subjektit me qëllim zvogëlimin e afatit kohor të procedurave për egzekutimin e kërkesave të tyre.

Marëveshja lidhet në frymë të Ligjit Nr. 131/2015 “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit”, të nenit 69, të Ligjit nr. 9723, datë  3.5.2007, “Për Regjistrimin e Biznesit”, i ndryshuar,  dhe të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.