Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

Ministrja Denaj në Këshillin e Investimeve: Fiskalizimi synon uljen e informalitetit në ekonomi

Këshilli i Investimeve u mblodh sot nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, për konsultimin publik të projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i njohur tashmë edhe si projektligji për “Fiskalizimin”.

Ministrja Denaj tha se konsultimi publik i draftit është mjaft i rëndësishëm dhe do të vijojë deri në datën 15 shtator, me marrjen e komenteve nga të gjitha grupet e interesit dhe biznesi, edhe pse juridikisht ai përfundon brenda muajit gusht, duke qenë se ka nisur në datën 31 korrik.

Ministrja theksoi se objektivi kryesor i projektligjit është ulja e informalitetit në ekonomi, ndërkohë që synohet përmirësimi i administrimit tatimor me qëllim mbledhjen efikase të të ardhurave dhe lufta kundër konkurrencës së pandershme. “Objektivi i këtij projektligji synon thjeshtimin e procedurave të kontrollit tatimor dhe monitorimin më eficent të tatimit, drejtuar ndaj tatimpaguesve me risk; një kontroll më të mirë të transaksioneve tregtare ndërmjet taksapaguesve; një kontroll më të mirë dhe monitorim të afateve të pagesave ndërmjet tatimpaguesve; si dhe përshpejtimin dhe automatizimin e proceseve të biznesit”, u shpreh znj. Denaj.

Përsa i përket shqetësimit të shprehur gjatë konsultimit lidhur me afatet e parashikuara për implementimin e procesit të Fiskalizimit, Ministrja tha se MFE mbetet e hapur për të diskutuar mbi arsyet dhe për të neogociuar, ndërsa ftoi anëtarët e Këshillit të Investimeve të diskutojnë për pika dhe nene konkrete të draftit, të cilat mund të kenë nevojë për ndryshime apo për sqarime më të detajuara. “Procesi i implementimit të projektit të Fiskalizimit nuk është vetëm janari 2020, por është një proces më i gjatë që finalizohet në vitin 2021 dhe përfshin disa marrëdhënie: marrëdhëniet biznes me klient, marrëdhëniet biznes me biznes dhe transaksionet jo cash që kalojnë nëpërmjet sistemit bankar, dhe marrëdhëniet biznes me qeveri, me synimin që gjitha faturat të jenë elektronike në vitin 2021. Kuptohet që janari 2020 është komentuar si një proces pak dyshues. Ne mendojmë që gjithsesi do të synojmë për këto hapa dhe gjatë konsultimeve në vijim të shikojmë se kush janë arsyet për ta negociuar”, u shpreh Ministrja.

Ministri i Mbrojtjes së Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi, i cili është anëtar i Këshillit të Investimeve si përfaqësues nga qeveria, vuri theksin në rëndësinë e përfshirjes së biznesit në procesin e konsultimit publik pasi, sipas tij, sa më i thjeshtë dhe i qartë të jetë për biznesin procesi i Fiskalizimit, aq më i lehtë do të jetë zbatimi dhe efektet pozitive të tij.

Na takon të gjejmë disa forma të thjeshta shpjegimi se çdo do të thotë Fiskalizim për një biznes të vogël, të mesëm apo të madh. Ka ende pikëpyetje për mënyrën se si do të funksionojë, ndërkohë që jemi të ndërgjegjshëm për efektet e mira që sjell. Duhet ta bëjmë sa më të thjeshtë, të qartë, lehtësisht të kuptueshëm për biznesin. Ne jemi shumë të bindur se sa më i përfshirë ta jetë biznesi, sa më mirë ta kuptojë, aq dhe më e suksesshshme do të jetë iniciativa dhe efektet pozitive të Fiskalizimit. Do të inkurajonim çdo lloj iniciative që të përçojmë drejt efektet, por dhe përdorimi i sistemit të jetë sa më i thjeshtë dhe i kuptueshëm”, u shpreh z. Shalsi.

Zv.Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Elton Haxhi, bëri një prezantim të detajuar të projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.

Nga ana e tyre, anëtarët e Këshillit të Investimeve vlerësuan dhe shprehën mbështetjen për iniciativën e qeverisë, ndërsa e fokusuan diskutimin në çështje që lidhen me kostot dhe afatet e implementimit të projektligjit.

Komentet e marra nga Këshilli i Investimeve dhe grupet e tjera të interesit do të shqyrtohet në kuadër të përgatitjes së version final të projektligjit, para se të dërgohet për diskutim në komisionet parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë.