Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

“Fiskalizimi”, MFE kalendar takimesh për konsultimet publike të projektligjit

Projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i njohur ndryshe edhe si “Fiskalizimi”, do të vazhdojë deri në fund të muajit gusht, të jetë pjesë e konsultimit publik. Ministria e Financës dhe Ekonomisë e konsideron shumë të rëndësishëm procesin e konsultimit publik, me qëllim mbarëvajtjen e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. Për këtë janë ftuar të gjitha grupet e interesit dhe opinioni në tërësi, të japin komentet dhe sugjerimet e tyre.

Kështu, krahas platformës online: http://www.konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/195 dhe https://www.tatime.gov.al/c/424/fiskalizimi njoftojmë se konsultimet publike, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me grupe të ndryshme të interesit, janë përcaktuar në datat e mëposhtme:

Kalendari i Konsultimeve Publike
• 20 Gusht – Takim me kontabilistët
• 22 Gusht – Takim me biznesin e IT-së
• 23 Gusht – Takim i Këshillit Tatimor
• 27 Gusht – Takim me shoqatat e biznesit
• 28 Gusht – Takim me Shoqatën e Bankave
• 29 Gusht – Takim i Këshillit të Investimeve

Projektligji synon krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend. Ai parashikon që, duke nisur që nga data 1 Janar 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen te Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga 1 Janari 2021, të gjitha transaksionet ndërmjet biznesit me njëri – tjetrin dhe ndërmjet biznesit me organet publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike.
Projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, prej datës 1 gusht është hedhur për konsultim publik, proces i cili do të zgjasë deri në fund të muajit gusht 2019.