Institucioni

Institucioni > Këndi i Biznesit të Vogël > Njoftime të rëndësishme

Biznesi i vogël në skemën e TVSH-së, mbyllet java e dytë e trajnimeve, këshillim dhe asistencë e dedikuar

Nga data 12 deri në datë 15 mars u zhvillua sesioni i dytë i trajnimeve të dedikuara të Drejtorive Rajonale Tatimore Tiranë, Shkodër dhe  Dibër për biznesin e vogël që do të përfshihet për herë të parë në skemën e TVSH-së.

Në dy javët e para, numri total i pjesëmarrësve në këto trajnime, u llogarit në  më shumë se 230, të cilët përfaqësojnë rreth 700 subjekte.  Pjesëmarrësit u njohën në mënyrë të detajuar me procedurën që duhet të ndjekin në përmbushje të detyrimeve ligjore, konceptet e përgjithshme të TVSH-së, plotësimin dhe afatet e deklarimit të TVSH-së, librave të shitjes dhe blerjes, plotësimin dhe deklarimin e tyre, plotësimin e një fature tatimore etj..

Gjithashtu në rang vendi, janë duke u zhvilluar vizita të dedikuara nga punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesit pranë subjekteve që do të përfshihen në këtë skemë. Deri tani në total janë realizuar 570 vizita në terren.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes një pune paraprake ka trajnuar dhe angazhuar ekspertët e saj më të mirë në të gjithë vendin, me synim ofrimin e asistencës dhe informimin sa më të gjerë të të gjithë sipërmarrësve, që do të përfshihen për herë të parë në skemën e TVSH-së.

Kalendari i trajnimeve që do të shtrihet deri në fund të muajit qershor është konceptuar për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë bizneseve të vogla, sipas shtrirjes së tyre gjeografike. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është e gatshme dhe ka të gjithë kapacitetet për të shtuar numrin e trajnimeve nëse kjo do të jetë e nevojshme.

Në total janë parashikuar rreth 100 sesione trajnimesh, si dhe rreth 10 mijë vizita këshilluese në adresën e biznesit. Për t’i ardhur në ndihmë të gjithë subjekteve janë ngritur 13 Kënde të Asistencës të dedikuara për biznesin e vogël.

Çdo drejtori rajonale, përmes specialistëve të zyrës së Shërbimit të Tatimpaguesve do të bëjë të mundur shpërndarjen e fletëpalosjeve dhe materiale informative të posaçme për të gjithë biznesin e vogël që do të përfshihen në skemën e TVSH-së në të gjithë vendin.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nxit dhe inkurajon të gjithë të interesuarit që të bëhen pjesë e këtyre trajnimeve dhe të njihen me të gjitha procedurat ligjore dhe detyrimet.